26 Nëntor 2019. Tirana, Durrësi, Laçi, Lezha, Thumana dhe disa qytete të tjera të vendit do të lëkundeshin nga tërmeti më i fortë në 40 vitet e fundit. Ishte ora 03.54 kur toka shqiptare u “shkund” nga tërmeti me magnitudë 6.4, me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, por që u ndje deri në Beograd, 370 kilometra larg epiqendrës.
51 persona humbën jetën nën rrënoja, 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Ndërkohë, pas tërmetit humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri në spital nga plagosjet gjatë lëkundjeve dhe një tjetër përmes vetëvrasjes, për shkak të stresit post-traumatik.
Dy hotele dhe dy pallate u shembën në Durrës. Katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti. Qyteti i Laçit u dëmtua shumë gjithashtu. Trupat shqiptare punonin me mjete të kufizuara, por shpëtuan njerëz nga rrënojat të mbështetur nga 250 trupa nga SHBA dhe vende të ndryshme europiane.
Ekipe shpëtimi me pajisje të specializuara, qen nuhatës dhe furnizime të tjera emergjencash mbërritën në Shqipëri nga vendet fqinje dhe Europa për të ndihmuar në operacionet e kërkimit si dhe për të ndihmuar ata të mbetur të pastrehë. 5,200 banorë mbetën të pastrehë.