SPAK u krijua me idenë se do të “bëjë namin” duke luftuar korrupsionin, ku shënjestër parësore ishin zyrtarët e lartë. Mirëpo prej disa ditësh janë bërë publike disa afera korruptive që “po godasin rëndë” këtë fenomen.
E fundit është afera me 5 mijë lekë të vjetra që një shtetas nga Korça Erion Nënçe ka bërë, duke ia ofruar këtë shumë policit rrugor. Ky veprim e ka çuar këtë të fundit si të pandehur para gjykatës së SPAK-ut, duke e dënuar me 40 orë punë të detyrueshme, për interesin publik, raporton gazetari Elton Qyno.
SPAK ka hetuar dhe marrë të pandehur, Erion Nënçen nga Korça, për akuzën e “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në vendimin përfundimtar gjykata thotë se: "…shuma e parave e sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një kartëmonedhë 500 lekëshe, të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit…”. Ky është dënimi i radhës i qytetarëve të korruptuar që ka dhënë SPAK, për akuzën e korrupsionit.
Ky dënim vjen pas dy “sukseseve” të tjera të SPAK, pasi disa ditë më parë janë dënuar dy shtetas të cilët i dhanë 10 mijë lekë të vjetra policit rrugor.