Një ndër aksionet më të bujshme të para dy viteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ishte çlirimi i spitalit nga kafet dhe qofteritë që kishin lindur si kërpudhat pas shiut brenda ambienteve të spitalit.
Me një aksion të përqëndruar u hoqën të gjitha kafenetë, dhe në vend të tyre rilindën lulishtet e dikurshme me stola, ku qytetarët prisnin të afërmit e tyre që ishin Brenda ambienteve të spitalit.
Por kjo histori nuk zgjati shumë. Për pak ditë, në lulishten në hyrje të spitalit, ka lindur një godinë e re. Sot në mëngjes, gjithë ambientet e saj ishin të rrethuara, por po punohet natë e ditë të përfundojë sa më shpejt. Mengjesin e sotëm punëtorët ishin në tarracë, duke vendosur shkallët, për të ngritur një kafene të re. Dhe, askush nuk mund të punojë brenda atyre ambienteve të spitalit, për një lokal, nëse nuk ka leje.
Do të jetë kjo kafeneja e vetme brenda spitalit, apo zyrtarët do të marrin masa për të mos e lejuar? Kjo do të shihet në ditët në vijim.