Statuti i ri i PS-së, ja kur jep dorëheqjen kryetari i partisë

Publikuar tek: politike, më 08:26 09-01-2018 Statuti i ri i PS-së, ja kur jep dorëheqjen kryetari i partisë

Statuti i ri i Partisë Socialiste u ka dhënë fund debateve se kur kryetari i saj jep dorëheqjen.  

Statuti i miratuar dy vjet më parë, por i shpërndarë ditën e shtunë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, pas plotësimit dhe me rregulloret e brendshme të funksionimit të partisë, nuk lë më asnjë hapësirë interpretimi për humbjen e zgjedhjeve nga Partia Socialiste dhe fatit të kryetarit të saj, shkruan “Panorama”. Në pikën 3 të nenit 40 të Statutit, jepen kushtet kur ndërpritet mandati katërvjeçar i kryetarit të partisë.

“Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. Jep dorëheqjen; b. Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme; c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të, me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 40 të Statutit. Ndryshe nga formulimet e mëparshme dhe për t’u dhënë fund dhe interpretimeve të ndryshme, statuti i ri përcakton se mandati i kryetarit ndërpritet automatikisht edhe nëse ai nuk jep dorëheqjen, kur partia ka humbur vendin e parë në zgjedhje.

“Në rastin e germës “b”, kryetari i partisë është i detyruar të japë dorëheqjen, në rast se kjo nuk ndodh, ndërprerja e mandatit ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së Kryetarit të ri të partisë jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të kryetarit. Në rast të pikave “b” e “c”, ish-kryetari i partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri. Kur vendi i kryetarit të partisë mbetet vakant, brenda 30 ditëve thirret Kongresi i Jashtëzakonshëm i partisë”, thuhet në Statutin e ri të partisë socialiste.

KRYEMINISTRI

Rinovimi i mandatit të kryetarit të partisë u bë temë e debatit të brendshëm në Partinë Socialiste pas zgjedhjeve të 2013 kur ajo rezultoi fituese e tyre. Statuti i ri u ka dhënë përgjigje edhe rasteve kur kryetarit të partisë i ka mbaruar mandati, por njëkohësisht, ai ka fituar dhe zgjedhjet parlamentare duke u mandatuar si Kryeministër.

“Kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, mandati i kryetarit konsiderohet i rinovuar automatikisht. Zgjedhjet për Kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit, në votimin që zhvillohet në Kongresin vjetor të partisë”, thuhet në pikën 5 të nenit 40 të statutit të ri. Gjithashtu, statuti përcakton dhe përmbushjen e vakancës që krijon dorëheqja e kryetarit të PS kur ai jep dorëheqjen. “Kur krijohet vakanca në funksionin e kryetarit të partisë, kompetencat e tij përkohësisht ushtrohen nga Sekretari i Përgjithshëm deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Në çdo rast, zgjedhja e kryetarit të ri bëhet jo më vonë se dy muaj nga vakanca e krijuar. Asambleja Kombëtare i shpall zgjedhjet e reja jo më vonë se tre muaj para përfundimit të mandatit të kryetarit në detyrë”, thuhet në pikën 6 të nenit 40 të statutit, që bën fjalë për zgjedhjen e kryetarit të partisë. 

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.01164698600769
array(1) { ["section"]=> string(68) "statuti-i-ri-i-ps-se-ja-kur-jep-doreheqjen-kryetari-i-partise-105913" }