Strofulla e nepërkave

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:47 19-09-2015 Strofulla e nepërkave

Nga Aulona Musta

Edhe një herë tjetër, vëmendjen time këtë javë e tërhoqën ato, rrjetet sociale, me gjithë negativitetin dhe dashakeqësinë që mbartin. Madje edhe atëherë kur e vetmja gjë që mund dhe duhet të bëjë një njeri është të urojë, në rrjetet sociale nuk ndodh kështu. Në rrjetet sociale ose, siç më pëlqen mua t'i quaj, strofullat e nepërkave, njerëzit mezi ç'presin të lëshojnë helmin nga “gjuha” e tyre e ndyrë dhe të bëjnë pis edhe ato gjëra të bukura që njerëzit i kanë të shenjta dhe vendosin t’i ndajnë me publikun, i afërt apo i largët qoftë ky publik. Sepse, në rrjetet sociale, të gjithë jemi publik, ku shijojmë pa pagesë shfaqje të ndryshme: shijojmë sfilata mode dhe fotoshooting të vajzave bukuroshe; shijojmë foto dhe video të lezetshme fëmijësh që prindërit vendosin t'i ndajnë në rrjetet sociale; shijojmë jetët luksoze të pasanikëve, që na bëjnë të ëndërrojmë me veshjet, udhëtimet e makinat e tyre; shijojmë edhe jetët e personazheve publike, të cilët tashmë, nëpërmjet rrjeteve sociale, janë kaq pranë nesh saqë nuk kemi nevojë të lodhemi për të parë se si janë kur zgjohen në mëngjes, çfarë hanë, çfarë makine ngasin, me kë e pinë kafen e parë, ku e kalojnë paraditen, në cilin lokal e hanë drekën, çfarë sporti praktikojnë, si duken kur janë të pirë, çfarë portreti kanë fëmijët e tyre, si e festojnë ditëlindjen, po dasmën... e shumë e shumë momente të tjera nga jeta e tyre e përditshme, të cilën ata vetë, me dëshirë, e ndajnë me ne, publikun.

Kryesisht këtë gjë e bëjnë për fansat e tyre, për ata njerëz që i duan e i ndjekin me adhurim në çdo gjë që bëjnë. Duket si diçka argëtuese, por po ta mendosh mirë nuk është edhe aq. Ja p.sh., ç’taksirat ka Anjeza Shahini, e cila vendosi të ndajë me publikun disa nga çastet më të bukura të ditës së saj të lumtur, ku kurorëzoi në martesë dashurinë me partnerin e saj, të lexojë lloj e soj komentesh idiote, të shpifura e të neveritshme, nga disa ditëzeza, që kënaqësinë e vetme të ditës e marrin duke sharë tjetrin?! E punë e madhe fort se tjetri lëndohet! E punë e madhe fort se ndihet keq kur shikon ato komente, të cilat të vjen turp edhe t'i mendosh, jo më të marrësh guximin t'i bësh publike. Dikush tregohet kaq zemërgjerë, saqë ty, o ditëzezë, të bën pjesë të gëzimit të saj, duke ndarë momente të rëndësishme nga jeta e saj, nga dita e saj e lumtur, siç është ajo e dasmës dhe ti çfarë bën? Ia kthen me të shara e ofendime. Dhe justifikohesh se je në demokraci dhe ke të drejtën e gjithë botës për të thënë mendimin tënd të lirë. Apo se personazhet publikë duhet t'i marrin parasysh këto gjëra, që edhe do pëlqen, edhe do kritikohen. Këto janë parullat që i kanë si justifikim për vrerin që nxjerrin nga shpirti i tyre i helmatisur.

Nuk të pëlqeu Anjeza nuse? Shumë mirë, s’ka asgjë të jashtëzakonshme këtu. Nuk është e thënë që meqë dikush bëhet nuse duhet të të pëlqejë patjetër. Por nuk mundet që mendimin tënd ta ndash me mikeshën, motrën, mamanë tënde dhe mos t’ia shkruash tjetrës në foto? Kaq të rëndësishme e paske pasur t’ia bësh me dije Anjezës që duhej të ishte lyer më shumë? Do të ndryshonte gjë kjo? Mos vallë duke lexuar atë koment Anjeza do ta bënte edhe një herë dasmën nga e para dhe do të lyhej më shumë për të të bërë ty qejfin? Atëherë përse duhej? Në emër të lirisë së mendimit. Shumë dakord, mund ta shprehje mendimin tënd të lirë për imazhin që duhet të ketë një nuse dhe që, mesa duket, nuk përputhet me imazhin e Anjezës për nusen, diku tjetër, në një nga ato faqet publike ku komentohet gjithçka. Por të paktën Anjezën ta linit rehat. Ajo nuk ju kërkoi një mendim. Ajo nuk shkroi poshtë fotos: Si ju dukem si nuse? A ju pëlqej? Ajo ndau një çast magjik, të asaj dite magjike për të dhe ju mund të ishit mjaftuar me një urim. E nëse nuk e ndjenit ta bënit këtë urim, sepse shpirti juaj i helmuar nuk mund të urojë dot dikë që gëzon, atëherë më lejoni mua të bëj për ju një ngushëllim!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020395994186401
array(1) { ["section"]=> string(27) "strofulla-e-neperkave-21170" }