Pas 'ngujimit' të studentëve brenda fakulteteve ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai i ka kërkuar ndjesë studentëve dhe prindërve që ankohen për pengimin e mësimit duke u shprehur se 'kjo maskaradë s'do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët'.
"U kërkoj ndjesë e mirëkuptim studentëve e prindërve,që përmes mijëra mesazhesh ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit. Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj Universitetit. Kjo maskaradë s'do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët", shkruan Rama.
Gjithashtu kryeministri bën me dije se universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen financiare.
"Universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen tonë financiare, sipas Vendimit të Qeverisë. Ministria e Financave ka nisur sot punën për të realizuar alokimin e fondeve në çdo universitet, student për student", shkruan Rama.