Studimi/ Zbuloni cilat janë mediat online në ngjitje dhe ato në zbritje në Shqipëri, si dhe pronarët e vërtetë të tyre

Publikuar tek: aktualitet, më 12:33 18-01-2017 Studimi/ Zbuloni cilat janë mediat online në ngjitje dhe ato në zbritje në Shqipëri, si dhe pronarët e vërtetë të tyre

Instituti Shqiptar i Medias ka publikuar një studim të plotë për median online në Shqipëri. Financimi, progresi, sfidat, migrimi dixhital dhe pagesat që bëhen nëpërmjet “Facebook” janë trajtuar gjerësisht në këtë studim të Rrapo Zgurit dhe Ilda Londos.

Në studim theksohet se janë portalet ato që po njohin një rritje më të madhe të audiencës në krahasim me faqet e gazetave dhe televizioneve.

Një e vërtetë e rëndësishme që konstaton ky studim është sfida që përballen disa portale (përmendet vetëm Jetaoshqef) në minimizimin e përmbajtjeve banale dhe ndonjëherë të papërshtatshme.

Ndonëse shumica e portaleve i sigurojnë të ardhurat nëpërmjet reklameve, në studim jepet edhe shembulli i “syri.net”, që sipas autorëve, duket se ka nga pas një mbështetje të fuqishme financiare.

Publikuar me shkurtime: (Mediat Online në Shqipëri: Legjislacioni, vetërregullimi, zhvillimi dhe prirjet kryesore)

Migrimi dixhital

Një prirje është ajo e migrimit dixhital. Në Shqipëri një dukuri e tillë nisi të shfaqet më dukshëm në vitin 2015, por me specifikat e veta dhe me një qasje disi të ndryshme në disa raste në krahasim me përvojën botërore. Disa gazetarë apo analistë të njohur të TV apo gazetave kaluan në mjedisin online duke u bërë drejtues të disa prej mediave online, siç ishte rasti i gazetarit Çim Peka që u bë drejtues i syri.net, apo rasti i gazetares dhe drejtueses së mediave Anila Basha që u bë drejtuese e newsbomb.al.

Financimi

Burimi kryesor i të ardhurave për mediat e Shqipërisë, si ato tradicionale edhe ato online, ka qenë dhe mbeten reklamat. Reklamuesit më të mëdhenj në vend jane kompanitë e telekomunikacionit dhe bankat. Por mediat online, përfituan në total vetëm rreth 1.5 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm i reklamave prej 33 milionë që ishte në vitin 2015.

Sfidat

Një nga sfidat për Jetaoshqef, por edhe për mediat e tjera online në Shqipëri është minimizimi i përmbajtjeve banale dhe ndonjëherë edhe të papërshtatshme. Krahas kësaj, mediat online do t’iu duhet të kurojnë më tej imazhin si dhe të përmirësojnë edhe perceptimin dhe reputacionin tek një pjesë e publikut të cilat janë dëmtuar për shkak të përmbajtjeve virale.

Pagesat në Facebook

Gjithsesi në këtë analizë mbi rolin e mediave sociale, studimi arrin në përfundimin se nuk duhet të neglizhojmë edhe faktorë të tjerë që kanë një ndikim të madh për rritjen e trafikut që vjen nga këto media. Kështu gjatë viteve të fundit për shumë media, një diferencë edhe më të madhe se sa thjesht numri i fansave e kanë sjellë fushatat e reklamimit me pagesë në Facebook, një praktikë e përdorur dendur nga një pjesë e mirë e mediave të reja online të lançuara gjatë viteve 2015 dhe 2016.

Audienca

Në studim janë identifikuar edhe prirjet në lidhje me audiencën: Së pari është konfirmuar përfundimisht një rritje gjithnjë e më e madhe e audiencës së mediave online dhe një rënie e vazhdueshme e audiencës së mediave tradicionale. Së dyti, verifikohet një rritje e mobilitetit të lajmit dhe të konsumit të tij, që do të thotë se njerëzit gjithnjë e më shumë po i marrin lajmet përmes pajisjeve të tyre mobile të lidhura në internet.

---

Syri.net

Migrimi në web i moderatorit dhe analistit Çim Peka, rezultoi i suksesshëm për të dhe median online që ai mori përsipër ta drejtojë: syri.net. E themeluar në 1 qershor 2015,33 syri.net, pas rreth një viti e gjysëm ia ka dalë të jetë e katërta në renditjen e 45 mediave online më të vizituara në vitin 2016. Me ambicjen për të qenë “agjensia më e madhe e lajmit online në Shqipëri”, Syri, siç thërritet nga lexuesit, është nga të paktat mediat online që bën përpjekje për të krijuar edhe përmbajtje origjinale lajmesh të krijuar nga stafi i vet. Tek Syri botojnë komentet e tyre një numër analistësh të njohur të vendit. Suksesi i kësaj agjensie i dedikohet edhe një fushate agresive marketimi në mediat online, sidomos në Facebook. Një pjesë e suksesit lidhet edhe me nivelin e lartë të opozitarizmit ndaj qeverisë aktuale. Edhe pse redaksia nuk ofroi të dhëna për këtë studim, nga investimet e kryera për promovimin online duket se kjo media online ka pas vetes një mbështetje të fuqishme financiare.

Newsbomb.al

Një rast i ngjashëm i migrimit dixhital është edhe ai i gazetares dhe drejtueses së mediave tradicionale Anila Basha. Duke lënë angazhimet në këto media, në janar të vitit 2015 ajo iu bashkua që në themelim agjensisë online newsbomb.al. Në rreth një vit e gjysëm që nga koha e lançimit, Newsbomb ia ka dalë që të listohet ndër websajtet e vizituara në Shqipëri. Në modelin e konceptimit dhe të strukturimit, ky websajt ka ngjashmëri me agjensinë greke simotër të lajmit online newsbomb.gr, e cila konsiderohet si një histori suksesi ndër mediat greke online.

Droni.al

Në disa raste të tjera të bujshme të migrimit dixhital, drejtues apo gazetarë të njohur janë shkëputur nga mediat tradicionale dhe kanë themeluar mediat e tyre online. Tipik në këtë tipologji është rasti i gazetarit dhe analistit të njohur, ish-kryeredaktor në disa media kombëtare, Sami Neza. Në 31 Mars 2015, Neza themeloi droni.al, një start-up i suksesshëm dhe origjinal që synon të shndërrohet në një agjensi të lajmit online, duke patur njëherësh edhe hapësira dhe kapacitete blogu. Financimet për Dronin janë private, kryesisht “inkind”. Në ndonjë rast Droni është përfshirë edhe në skema modeste projektesh të financuara nga donatorë të huaj që kanë mbuluar për të vetëm një përqindje gati të papërfillshme të shpenzimeve.

Lapsi.al

Lapsi, siç thërritet rëndom u lançua në shtator të vitit 2014. Prania e postimeve të shumta të kategorisë së komenteve, editorialeve apo kolanave, i kanë dhënë kësaj medieje online edhe tiparet e një blogu, me një përpjekje për ngjashmëri jo vetëm në dizajn me blogun e njohur amerikan HuffingtonPost. Në një intervistë në TV Klan, Armand Shkullaku thotë ky websajt është konceptuar si një si një portal që ka një orientim drejt informacionit të përgjithshëm, i ndërtuar sipas skemës klasike të gazetës, ku nuk mungojnë lajmet që fillojnë me politikën, ngjarjet ndërkombëtare dhe vazhdojnë më pas me shoëbiz-in, sportin, lifestyle, etj.

360gradë.al

Një portal të vetin ka hapur edhe analisti Artur Zheji. Në vijim të një sprove televizive të nisur disa vite më parë me titullin “360 gradë” (një emër ky i huazuar nga emisioni i Anderson Cooper 360° në CNN) Zheji themeloi në 15 maj 2016 portalin 360grade.al. Ja si e prezanton portalin e vet Zheji në një shkrim inaugurues: “Ne, një grup shokësh, mbledhur në një shoqatë, vendosëm të themelojmë një Gazetë elektronike online, 360gradë.al që është dhe premton të jetë, Portali i Juaj, apo si të thuash, porta juaj hyrëse në mjaft të vërteta që nuk ua thonë... Në këtë xhungël portalesh online, ne duam të jemi pozitivistë. Nuk lindëm as për të sharë qeverinë apo kryeministrin e saj të sotëm, as për të mbështetur alternativën në pushtet të Partisë Demokratike dhe as për t’i bërë fresk LSI. Përpiqemi të kemi lirinë që të themi dhe të nënvizojmë sa më pozitivisht të mirat që prodhon politika apo qeveria aktuale, por edhe të listojmë dështimet, gafat, mëkatet financiare, marrëzitë dhe mëndjelehtësitë e saj.”

Screenshot_6_copy.png

Screenshot_7.png

Screenshot_8.png

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « LAJM FANTASTIK: Ylli shqiptar që bëri xhiron e mediave botërore dhe bashkëshorti i saj futbollist marrin përsipër rastin e Reisit të vogël
1 metër borë në Dardhë, pritet dyndje turistësh në fundjavë (VIDEO) »
Article Logic
Execution time: 0.011886119842529
array(1) { ["section"]=> string(122) "studimi-zbuloni-cilat-jane-mediat-online-ne-ngjitje-dhe-ato-ne-zbritje-ne-shqiperi-si-dhe-pronaret-e-vertete-te-tyre-65891" }