Turizmi dimëror në Dardhë merr një goditje të rëndë- Tatimorët e Korçës kanë bllokuar skipistën e Dardhës duke vendosur shiritat.
Lajmin e bën me dije gazetari i Korçës, Gëzim Hashimi i cili thotë se mijëra pushues që kishin zgjedhur të kalonin pushimet këtë fundjavë në Dardhë janë kthyer mbrapsht. Kjo pasuri kombëtare që nuk është vetëm pronë e familjes Tasho dhe shoqatës "Rrëshqitja dhe Natyra" u mbyll për vogëlsira dhe pretendime absurde. "Kjo qeveri që duhet të më japë liçencë, po më pengon. Kam bërë kërkesë për rregjistrim që kur ishte komuna Drenovë. Unë vetë jam i interesuar për rregjistrim në QKR. Kam çuar kontratën qerasë, por bashkia më thotë se çështja është në proçes hipotekimi" sqaron Thoma Tasho.
Sipas gazetarit lokal, tatimorët e Korçës pa asnjë paralajmërim dhe afat kanë bllokuar skipistën, duke shkaktuar reagime të shumta dhe indinjatë. Skipista e Dardhës është hapur prej vitesh, por këto dy vitet e fundit funksionon me kapacitet të plotë. Ajo është e vetmja në Shqipëri, dhe tërheq me mijëra pushues e të apasionuar pas dëborës e sportit të skive.