Te bar-kafe në Cambridge, në vendin e “krimit” ndaj Fatos Nanos...

Publikuar tek: politike, më 15:58 19-07-2017 Te bar-kafe në Cambridge, në vendin e “krimit” ndaj Fatos Nanos...

Nga Nikoll Lesi, 11 korrik 2017

Korrik, Angli. U ktheva prapë në qytetin e Cambridge për të bërë një foto te lokali ku lindi, rastësisht, loja me Fatos Nanon, i cili në janar 2012 vizitonte Londrën e ku ishte vetshpallur si kandidat për President. Pikërisht nga ky bar-kafe u nisën disa sms kandidatit për President, zotit Nano. Dhe që më pas përfunduan në prokurorinë e Tiranës, në një sherr, ku ndërhyri Bamir Topi, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Ina Rama dhe Bujar Nishani.


Ja si nisi historia gazmore:
Ishte mesi i janarit 2012. Kisha afro një muaj që qëndroja në qytetin e Cambridge me bashkëshorten, pasi të dy djemtë ishin në shkollë në Cambridge. Kisha dhe një specializim, realisht. Si zakonisht, darkave, dilnim. Natyrisht edhe gjatë ditës, por darka ishte e bukur se kishte një erë të ftohtë që bëje sikur lozje me të, por që të merrte përpara me vorbullën e saj. Dikush mund të thotë se ç'bukuri ka darka e ftohtë, por kur ndodhesh në vend të huaj, ke nevojë të takosh çdo shqiptar, natyrisht të cilin e njeh. Nuk pyet për motin. Gjatë ditës, dita, ikte me Yllin Rakipin, i cili edhe ai jetonte në një shtëpi me qera në Cambridge me familjen, pasi kishte djalin e vajzën në shkollë. 
Atë natë janari u futëm te ky bar (shiko foton), ku sot jam mbështetur, një bar afër universitetit ku studionte djali im. Anglezët pinin me qejf birrën, ndërsa me një shqiptar tjetër po pinim një wiski skocez. Një anglez, mik i shqiptarit me të cilin po rrija, erdhi e na bëri shoqeri në tavolinë. Ndërkohë pasi kishim pirë pa ndonjë zarar, mbërrin në bar një shqiptar i cili ka një karrierë të rëndësishme në Angli. Quhet A.N. Eshtë nga shqiptarët e pakët që ka bërë karrierë në fushën e kulturës dhe arsimit në Britani. 
-Nga ishe?- e pyeta.
-Isha me Presidentin e Shqipërisë!- tha dhe dukej i kënaqur.
-Pse ka ardhur Bamir Topi në Londër?- nuk mu ndejt, mua.
-Jo ore ça Bamiri! Isha me Fatos Nanon-u përgjigj A.N. dhe u rehatua në kolltuk. Mori diçka për të larguar të ftohtin e madh të janarit anglez. Jashtë po frynte, ndërkohë akoma nuk kishte mbërritur Ylli Rakipi.
-Ore ça presidenti do bëhet Nano!- nuk mu ndejt, pasi e njihja mirë qëkur e ndihmoja në vitet e burgut për të dalë nga ajo qeli, nga ku na niste shkrimet e autointervistat, e që ia botonim në gazetën “Koha Jone”. Si rregull në redaksi, asokohe, ishte Martin Leka “kryeredaktori” që merrej me Fatos Nanon. Po më kalonin në qindat e sekondës kujtimet e Nanos në burg dhe Nanos kryeministër ndaj mu ndezën dritat e një “minihakmarrje” të vogël. Shikoja A.N.i cili nuk donte t’ia dinte për lodhjen nga Cambridge në Londër dhe kthim, pasi kishte takuar presidentin e ardhshëm të Shqipërisë!
Hej bela!- mendova. Fatos Nano president Republike?! Nuk bën vaki, nxisja veten. Nga viti 2003-2005 ishim përleshur me njeri tjetrin në parlament, aqsa kërkoi heqjen e imunitetit tim dhe arrestimin, vetëm se kisha kërkuar hetimin e bizneseve të tija familjare. Unë kisha kërkuar në parlament si deputet, por edhe në "Koha Jone" si botues, se duhet një qeverisje më e drejtë. Nuk mund të pranonim qeverisje të korruptuar. 
-Po me kë ishte “presidenti”?- pyeta prapë A.N.
-Me Xhoin dhe një biznesmen- tha shkurt.
Ylli Rakipi po vononte. Atëhere me lindi një shkëndijë gazetareske e viteve të para, kur u krijua gazeta “Koha Jone”.
-Birra për anglezin!- porosita. Erdhi birra dhe anglezit iu ndriçua fytyra, ndonëse ishte e kuqe nga pirja prej disa orësh. Në Cambridge kisha dy telefona celularë; një numër anglez dhe numrin shqiptar.
I thashë shqiptarit, që ishte në tavolinë para se të vinte A.N. që të fliste me anglezin për të na shkruar një tekst në anglisht. Ai ra dakort dhe shikonte nga banaku për birra të tjera.
-Prapë birra!- fola. Anglezi ishte në çakërqejf. Ia kërkova numrin e telefonit të Fatos Nanos, mikut tim A.N.
Nuk pranoi të më jepte numrin e Nanos. Atëhere përdora disa sms me numrin shqiptar dhe e gjeta.
-Fillo!- iu drejtova anglezit duke i dhënë telefonin tim anglez. Ndërkohë shqiptari ia përkthente çfarë do thoja unë e anglezi shkruante në celular. Filluam.

-Zoti Nano, president i ardhshëm i Shqipërisë! Më falni që po ju shqetsoj në këtë orë kaq të vonë, por kemi interes për një intërvistë me Ju.
Ju lutem kur mund të nis grupin e xhirimit dhe gazetarin?

Me respekt
Nichel Lesman
London, BBC

Ky ishte teksti. Birra vazhdonte të vinte në tavolinë. Anglezi vetëm pinte, aqsa menduam njëherë ti lidhim një zorrë direkt nga fuqia e birrës, e cila ishte mbi banak. A.N. insistonte që mos u kruaj me presidentin e ardhshëm, pasi i ke disa “llogari” të pambyllura me të. E kishte fjalën për sherrin e vitit 2003-2005. Në fakt mendova se sms e nisur në anglisht do të ishte marrë si shaka. Fatos Nano e flet dhe shkruan shumë mirë anglishten, por natyrisht një anglez e shkruan më mirë se Nano! Dhe këtu ishte rrengu-grep që i bëmë Nanos.
Nuk vonon dhe vjen përgjigja e Nanos në celularin tim.

-Zoti Lesman! Ju falenderoj shumë për interesimin ndaj meje si BBC. Por nëse mundet sonte, ta mbarojmë intërvistën, ndonëse është vonë, pasi nesër nisem paradite në Shqipëri. Me presin takime të rëndësishme.
Me respekt
Fatos Nano

Hej bela, mendova në çast. Njëherë më shkoi mendja se tipi i Nanos e ka kuptuar lojën tonë dhe po tallet me ne. Ishte ora afër 10 e darkës, ndaj është futur në lojë, ndonëse nuk e dinte se isha unë, ai i verteti. 
Zgjedhja e presidentit do bëhej në korrik 2012. Por Nano vazhdonte enderrën e tij presidenciale.
Prapë birrë anglezit. I dhashë telefonin dhe vazhduan “radiolojën”.

-Më vjen keq zoti president, por sonte është shumë vonë. Ju lutem nesër paradite në ora 11.00. Nga burimet e korrespodentëve tanë në Tiranë mësojmë se Gramoz Ruçi i PS-së ka thënë në koifidencialitet se PS do ta votojë zotin Nano si President. Po kështu edhe zoti Meta ka pohuar se do ta votojmë si LSI, kurse nga kabineti i kryeministrit Berisha kemi një konfirmim nga zoti Gjergji Lezhja, sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë se PD-ja nuk do flasi hapur por në fund do të votojë pro kandidaturës tuaj zoti Nano.
Ndaj është e rëndësishme mendimi juaj për Ballkanin dhe politika juaj e jashtme si President.
Me respekt
Nichel Lesman

Ia nisëm sms-në e dytë. Anglezi u lodh shumë duke shkruajtur gjithë këto fjali, ndaj i sollëm një dopio birrë, aqsa gota dukej si kazan. A.N. ishte bërë vrer. Po shkruanim Presidentit të ardhshëm! Guxim i madh!
Nuk vonoi përgjigja e Nanos.

-Dakort zoti Lesman! Stafi im po merret me shtyrjen e kthimit në atdhe dhe ju presim.

Në fund të sms jepte dhe adresën e hotelit ku qëndronte. Qeshëm. A.N. u bë keq. I thashë mos i shkruaj Nanos se ia nisëm ne sms-të, pasi do ti them se A.N. e ka bërë përkthimin dhe ti e ha! Nuk bëri zë.
Ndërkohë mbërrin Ylli Rakipi. A.N. ia tregoi Yllit ç’kisha bërë. Filloi një e qeshur e madhe, sa lokali tundej. I pëlqeu “radioloja” edhe Rakipit. Filluam të ndërtonim skema se si të shkonim të dy në hotelin e Nanos dhe ta shikonim të kollarisur, të nesërmen, duke pritur ekipin e xhirimit të BBC. Fantazia e Rakipit shkonte dhe më tej. Thoshte ti nisim një sms tjetër, me kujdes, se më mirë të mos e bëjmë në hotel intërvistën, por të vinte në ora 11.00 në BBC se do ta priste drejtori i përgjithshëm si një personalitet, ta shoqëronte nëpër zyrat e BBC e në fund të jepte intërvistë.

Ishte ide brilante kjo e Ylli Rakipit. Por, për dreq, na u mërzit anglezi. Kishte pirë shumë dhe iku. Mbetëm pa e nisur sms-në e tretë. A.N. nuk pranonte, shqiptari që na shoqëronte sa dëgjoi se duhej ai të përkthente iku duke thënë se “aman nuk dua sherr me Fatos Nanon”.
Fatos Nano shpëtoi nga sms-ja e tretë, e cila do ishte dërmuese, sepse do shkonte të dera e BBC dhe në vend që ta prisnin me nderime, do ti thoshte roja: Ik ore se lajmërova policinë!
Kështu mbaroi ajo natë, ndonëse realisht donim, pas shakasë, ti gjenim një mundësi kandidatit për presidentit të shfaqte mendimet e tij të vyera për rajonin e Ballkanit. Kishte qenë një herë, Nano, në Kretë si kryeministër kur takoi Presidentin serb Millosheviç, por i iku shpejt Millosheviçi, kurse Nano mbeti prapë në këtë pjesë të diellit.
U ndamë në mesnatë dhe sejcili në shtëpinë e tij.
Të nesërmen në ora 11.00 me bie zilja e telefonit anglez. E shoh, Fatos Nano. Nuk iu përgjigja. Ai po priste. 
Pas disa telefonatave ai shkroi:
Zoti Nichel Lesman, jam duke ju pritur!

Mora Ylli Rakipin. I tregova se Fatos Nano po pret. I futi një të qeshur Ylli, sa qesh ai e qesh unë. Më vonë u takuam me Rakipin dhe duke qeshur menduam, edhe seriozisht, se duhej ta ndihmonim me ndonjë mundësi interviste në BBC, Fatosin. Shqipëria kishte nevojë të provonte një Fatos Nano si President. Por dëshira jonë nuk mjaftonte.
Nejse, pas tre ditësh kisha prerë, me kohë, biletën për Tiranë dhe më pas do kthehesha prapë në Cambridge.
Fatos Nano ishte kthyer në Tiranë në turin e tij presidencial. Takohej me ambasadorin amerikan. Pothuaj ishte president. Por tallja e Cambridge i kishte mbetur kunjë. Numrin anglez se kush e kishte, nuk mund ta gjënte dot dhe siç duket e brente inati derisa ta zbulonte se kush ia bëri lojën me sms. Por unë kisha komunikuar me numrin anglez me një deputet të PS-së që rrinte në SHBA. Për dreq ai, ato ditë, ishte kthyer në Tiranë. Kishte darkuar me Nanon. Dikush më vonë që ka qenë në darkë, me ka treguar, se në një moment pije deputeti iks e kishte pyetur se si ka kalove në Londër. Nano nuk kishte përmendur fare punën e BBC, por në një moment deputeti e kishte pyetur, pa djallëzi, që nëse e takove Nikoll Lesin në Angli. Atëhere antenat e Fatos Nanos kishin punuar. Nikoll Lesi ma ka bërë këtë lojë!
Sapo ia kanë thënë, në nerva e sipër, Nano me ka telefonuar mua në numrin anglez. Unë nuk e dija se ç’po ndodhte në Tiranë. I ra disa herë telefonit Nano dhe më pas, me një shpejtësi sketerrë mbërritën sms pa ndalesë nga Fatos Nano.
Më shante me emër, me kërcënonte, më shkruante se “ e dijmë se ku banon në Cambridge”(!) dhe një varg fyerjesh e sharjesh. Të gjitha janë në dosjen e prokurorisë së Tiranë, më vonë.
Pasi mbaroi ai serinë e sms-ve, nisa unë. Pak me më shumë kulturë se sa Fatosi! Por në Tiranë kishte mbërritur loja e sms-ve të nisura nga Cambridge dhe ziente në qarqet e larta të politikës dhe medias. Se cili nga ne të tavolinës kishte treguar për lojën, nuk e di, porse Berisha, Rama, Meta dhe një numër gazetarësh VIP e dinin talljen.
Fatos Nano nuk donte kurrsesi në kulmin e një fushate presidenciale, t’i dilte në media kjo lojë e thurur në Cambridge. E dinte veten President!
Mbërrita në Tiranë për pak ditë dhe shkova në hotel Rogner. Më vijnë Arben Malaj dhe Albert Çaçi, dy deputetë të PS-së dhe miq të Nanos. Me thonë se duhet pajtim me Nanon dhe takohuni. E njihja Fatos Nanon, mjaft mirë! Nuk i besoja më.
Nuk vonon dhe me merr në telefon Edi Rama. Më pyeti direkt nëse është e vertetë se ia ke punuar Nanos, siç flitet në Tiranë. “Po”- i thashë- por donim sinqerisht ta ndihmonim me Ylli Rakipin te BBC! Dhe qeshte e shkrihej në telefon, Edi Rama.
-Je i paparë!- më tha Edi Rama. Ishte kryetar i PS dhe në opozitë. E pyeta me djallëzi se mos u kam prishur punë pasi do ta votoni si President.
-Popo! Tamam edhe president ta bëjmë Nanon që të shkojë për lesh Shqipëria!- foli duke u shkrirë së qeshuri për rrengun. Pak më vonë me merr Ilir Meta. Pyeste dhe vetë qeshte, pasi e besonte se ia kam bërë rrengun e përfolur në Tiranë. Nuk vonoi kur më telefonon Gjergji Lezhja, sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pyeti, si mjeshtër që është, larg e larg se si kalon në Angli. Më pas u fut në temë. Donte të dinte nëse janë të verteta ato çfarë thuhen në nivelet e larta për sms-të e “BBC”. 
-Është shkrirë me lot Doktori!- më tha Lezhja.
Por populli nuk e dinte. Duhej ta mësonte, nuk mund ti fshihej popullit kjo gjë! Atëhere me telefonin në dorë dhe me sms-të kërcënuese të Nanos, shkova të prokuroria e Tiranës për të bërë denoncimin pasi kishte kërcënuar, edhe me jetë. Nuk kishte b.. të bënte gjë ai, pasi e kisha mposhtur kur ishte në majën e pushtetit. Por ligjin duhej ta zbatoja. nuk mund të mbyllej kjo gjë.
Hyra në prokurorinë e Tiranës. Kërkova të bëja kallëzim penal ndaj numrit që më kishte telefonuar dhe kërcënuar me jetë. Kur i thashë kryeprokurorit të Tiranës dhe pasi më pyeti se kush është emri, u tulat. Nuk donte. Presidenti i Republikës ka në dorë emrat e prokurorëve, atëhere. Fatos Nano lakohej nga të gjitha mediat se ishte pothuaj i sigurtë si President. Me ambasadorin amerikan darkonte e drekonte te “Pulëbardha”. Edhe kur dilte në rrugë fliste e ecte si president, kur pinte puro mundohej të jepte pamjen e një presidenti. Ishte president në mendjen e tij.
Mëqënëse kryeprokurori i Tiranës nuk po urdhëronte të bëja denoncimin si qytetar i zakonshëm, atëhere i nisa një sms Presidentit Bamir Topi. Nuk vonoi dhe me telefonon Ina Rama, prokurorja e përgjithshme. Dhe më pas fillova të bëja denoncimin në prokurori për kërcënim.
Prokurori që ishte nga Kukësi me thoshtë herë pas here:


-Të lutem mos me merr në qafë! Mos e bëj denoncimin, pasi unë do detyrohem ta hetoj dhe ai do jetë president. Do të ma transferojë në ndonjë rreth të largët nga inati- thoshte dhe shkruante me përtesë. Kur e pa se nuk hiqja dorë vazhdoi dhe pyeste shkurt. I dorëzova dhe telefonin ku ishin sms-të kërcënuese, mora proces verbalin e ika.
Shkova e drekova me disa miq në media, të cilën shkriheshin nga historia e Cambridge.
Ben Blushi thoshte se e ke prekur te pika më e dobët e tij, te tallja. Ai tallet me të tjerët dhe është çmendur se e ke tallur, ndaj nuk don ta marrin vesh njërëzit.
-E kam gjetur se si ta marrin vesh njërëzit!- i thashë Blushit.
Të nesërmen gazeta Panorama botoi letrën time për gjithçka kishte ndodhur si kërcënim. Por nuk sqarova talljen në thelb. 
Tani që shkova në Cambridge, pas pothuaj pesë e vjet e kusur, e bëra një foto te “vendi i krimit”. Nuk me la Armand Shkullaku pa e bërë foton, mbështetur te lokali ku në janar 2012 u bëra Nichel Lesman!
Ç'ti bëja Shkullakut se nuk kisha ndërmend ta tregoja historinë e Cambridge me Fatos Nanon.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Pjesëmarrja e ulët në votime, edhe Lulzim Basha jep një mesazh (VIDEO)
E veçantë ky kandidat për deputet sot feston 27 vjetorin e lindjes »
Article Logic
Execution time: 0.0078909397125244
array(1) { ["section"]=> string(66) "te-bar-kafe-ne-cambridge-ne-vendin-e-krimit-ndaj-fatos-nanos-86665" }