Të dhënat e ISP: Shumica e deputetëve në Komisionin e Ligjeve janë jo aktivë

Publikuar tek: politike, më 19:11 09-01-2017 Të dhënat e ISP: Shumica e deputetëve në Komisionin e Ligjeve janë jo aktivë

Një nga funksionet më të rëndësishme të Kuvendit është shqyrtimi dhe miratimi i ligjeve. Parlamenti ynë funksionon me skemën klasike, – mbledhje në komisione dhe më pas, seancë plenare gjatë ditës së enjte. Komisioni kryesor në parlament është Komisioni i Ligjeve, ose siç zyrtarisht cilësohet “Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut”. Referuar të dhënave krahasuese të periudhës shtator-dhjetor 2016, – periudhë intensive për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, zgjedhjet në KQZ dhe shqyrtimin e miratimin e Buxhetit të Shtetit, – Komisioni ka zhvilluar rreth 23 mbledhje pune nga 53 mbledhje të zhvilluara gjatë sesionit tjetër janar – korrik 2016.

Komisioni i Ligjeve kryeson me numrin e mbledhjeve në raport me komisionet e tjera, dhe gjithashtu, dukshëm është komisioni më me shumë propozime për amendime e korrektime ligjore në Kuvend. Megjithatë, suksesi i tij në raport me komisionet e tjera, mund të vijë edhe për shkak të dobësisë së punës të komisioneve të tjera, apo çështjeve të cilësisë së përfaqësimit. Ndaj një analizë më e detajuar e mbledhjeve të këtij komisioni japin të dhëna interesante.

ScreenADQ3TGFFGSDGDFASdrgh5r.jpg

Në 23 seanca të Komisionit të Ligjeve janë shënuar 82 diskutime, në raport 3.4 diskutime për mbledhje komisioni. Kjo është një përqindje mjaft e vogël referuar rëndësisë së ka komisioni i ligjeve dhe nevojës së madhe për ekspertizë të thelluar ligjore. Në praktikat e parlamenteve perëndimore komisione të tilla kanë nivele deri 5 herë më të larta debati dhe të pjesëmarrjes aktive. Pavarësisht se raporti 3.4 diskutime në mbledhje komisioni, shqetësimi kryesor nuk qëndron këtu, por tek të dhënat e diskutimeve dhe përqendrimi konkret i tyre.

Mbledhjet e Komisionit të Ligjeve janë drejtuar gjithnjë nga kryetari Fatmit Xhafaj, i cili, përvec drejtimit, ka bërë vazhdimisht ndërhyrje në çështje konkrete të ligjeve, debatit dhe ka bërë amendime/propozime, etj. Si kryetar, Xhafaj nuk mund të jetë objekt i klasifikimit të numrit të diskutimeve në komisione. Ndaj me këtë kriter, numrin më të lartë të ndërhyrjeve e ka deputetja Vasilika Hysi, me diskutime në 16 nga 23 mbledhjet e Komisionit. Ajo ka dyfish më shumë diskutime në seancat e komisionit sesa dy deputetët e tjerë më aktivë në Komision, Eduart Halimi (PD) dhe Ulsi Manja (PS). Pas tyre, në vendin e katërt më me shumë diskutime vijnë Dashamir Peza, Petrit Vasili dhe Anila Agalliu. Dy politikanët opozitarë, Bylykbashki e Ristani kanë numër të njëjtë të ndërhyrjeve, po aq sa deputeti i ri i sesionit të pranverës, Edmond Leka. Deputetët e tjerë kanë raste minimale ndërhyrjesh, madje tre deputetë (njëri prej tyre është zëvendësues në mbledhjet e këtij komisioni) nuk kanë diskutuar asnjëherë. Shprehja, – ka deputetë që marrin pjesë në komision vetëm për të regjistruar emrin dhe përfituar pagesën, – vlen dukshëm në këtë rast.

2t234tq23tnd.jpg

Referuar datave të mbledhjeve të Komisionit dhe diskutimeve të zhvilluara në to, rezulton se mbledhjet më me interes debati nuk janë ato që lidhen me ligje të rëndësishme, por rastet kur palët kanë interesa direkte politike. Të tilla janë debatet për selektimin e kandidatëve për kryetar në KQZ, debati mbi trafikun e drogës, gjendjen e sigurisë, debati mbi komisionin për hapjen e dosjeve, etj. Siç shihet nga tabela vetëm në 6 mbledhje ka pasur më shumë se gjashtë deputetë të përfshirë në debat, kurse në mbledhjet e tjera, numri i deputetëve të përfshirë ka qenë simbolik, – kryesisht deputeti që duhet të jetë relator dhe ndonjë tjetër me ndërhyrje apo pyetje.

Së fundi, një tregues interesant është edhe pjesëmarrja e deputetëve në mbledhjet e Komisionit. Praktika parlamentare përcakton përbërjen fikse dhe disa deputetë zëvendësues, të cilët përdoren sidomos kur pala politike ka interes për vendimmarrje/debat politik. Dy anëtarë të Komisionit nuk kanë qenë asnjëherë të pranishëm, një për arsye shëndetësore (BF) dhe një tjetër për arsye të tjera (TD).

sdqw3astye4wwot_1.jpg

Megjithatë shihet nga tabela se tetë deputetët e parë me numrin më të lartë të pjesëmarrjes në komision janë deputetë të mazhorancës, pra të shumicës qeverisëse. Opozita ka përfaqësim mesatar, madje dy nga kryetarët e partive opozitare pjesëmarrës në Komision kanë shifra minimale prezence dhe akoma më minimale ndërhyrjesh/debati. Mjafton kjo tabelë për të kuptuar se përfaqësimi i deputetëve në Komision është dukshëm nën nivelin e një standardi të lartë parlamentar, dhe se referuar opozitës, është dukshëm nën standardet që ajo promovon.

Gjatë periudhës shtator – dhjetor 2016 rezulton se kanë qenë present në Komision disa prej anëtarëve të kabinetit qeveritar (Manjani, Harito, etj, zv/ministra dhe drejtues të gjyqësorit dhe të organeve kushtetuese. Duke pasur rëndësinë e Komisionit dhe krye-temën e reformës në drejtësi, do të kishte qenë e pritshme një përfaqësim më i lartë i zyrtarëve të niveleve kushtetuese në këtë komision, si dhe një proces shumë më angazhues i komisionit dhe i parlamentit për promovimin e axhendës, aktivitetit, pritshmërive dhe kapaciteteve reale & sfidave të tij.

Ky shënim mbi punën e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, është pjesë e raportit monitorues të Institutit të Studimeve Politike (www.isp.com.al). Në ditët në vijim pjesë të raportit me interes publik do të jenë në dispozicion të medias, kurse Raporti i plotë do të publikohet gjatë fundit të kësaj jave.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.039986848831177
array(1) { ["section"]=> string(81) "te-dhenat-e-isp-shumica-e-deputeteve-ne-komisionin-e-ligjeve-jane-jo-aktive-65054" }