Një tjetër rast keqtrajtimi të kafshëve u regjistrua ditën e sotme në Durrës, ku një 67-vjeçar tërhiqte me makinën e tij tip "Benz" një qen.
Shtetasi, me inicialet H.H., lidhi në kanxhën e makinës një litar dhe tërhoqi zvarrë për disa metra kafshën. Nga dëshmitë e banorëve, policia bëri të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Durrësit.
Në dëshminë e tij në polici, ai pranoi aktin, por tha se e kishte tërhequr qenin për ta dërguar afër koshave të mbeturinave. Policia nisi hetimet, ndërsa nisi procedimin penal ndaj tij.
Mbi të rëndon akuza për 'keqtrajtim të kafshëve'.
Njoftimi i plotë i Policisë
"Duke marrë shkas nga një foto e publikuar në rrjetet sociale, ku paraqitej një kafshë (qen), duke u tërhequr pas një makine, në Durrës, ju sqarojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me mjetin e tij tip “Benz”, shtetasin H. H., 67 vjeç, banues në Durrës, i cili deklaroi se e kishte konstatuar kafshën (qenin), të ngordhur, në rrugë, në afërsi të banesës ku jeton, (bazuar kjo dhe nga dëshmitë e personave të tjerë, banues në atë lagje), dhe e kishte marrë për ta spostuar pranë koshit të mbeturinave.
Në vijim të veprimeve seksioni për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, procedoi penalisht shtetasin H. H., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.