Tërmeti, rriten ndjeshëm kontratat e sigurimit të pronës në dhjetor

Publikuar tek: ekonomi, më 09:58 29-01-2020 Tërmeti, rriten ndjeshëm kontratat e sigurimit të pronës në dhjetor

Tërmeti i 26 nëntorit duket se ka sjellë një ndërgjegjësim të kompanive e individëve për të bërë sigurimin nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një rritje të ndjeshme në dhjetor, si të numrit të kontratave për këtë klasë sigurimi, ashtu dhe të primeve të shkruara bruto, ndryshe nga 11 mujori, ku tendenca ishte në rënie për primet që bizneset dhe individët kishin paguar për t’u siguruar nga fateqësitë natyrore.

Në dhjetor 2019 u nënshkruan 4,362 kontrata për sigurimin nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me një rritje prej 29.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga AMF.  Kjo tendencë është shumë më e lartë se  ajo e 11 mujorit 2019, ku numri I kontratave ishte rritur me vetëm 5.5%.

Në vlerë, primet e shkruara bruto janë rritur me ritme edhe më të larta, për shkak të kontratave me vlerë të lartë. Primet e shkruara bruto për dhjetorin 2019 arritën në 325 milionë lekë, me rritje prej 77% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Kjo tendencë është krejt e kundërt me 11 mujorin, ku primet e kësaj kategorie sigurimi kishin rënë me 15%. Ritmet e larta të rritjes në dhjetor kanë bërë që për gjithë vitin 2019, rënia e primeve bruto të zbutet në rreth -7%.

Operatorët e tregut pohojnë se pas tërmetit të 26 nëntorit pati një rritje të interesit por që tashmë dita ditës ky interes po zbehet.

Sigurimet vullnetare për sigurimin nga zjarri dhe dëmtimet në pronë mbeten në një peshë mjaft të ulët ndaj totalit. Në 2019-n, ato përbënin 7.4% të numrit të kontratave dhe 13% të totalit të primeve.

Zhvillimet në tregun e sigurimeve në 2019

Sa i takon tregut të sigurimeve në tërësi AMF vlerëson se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2019 kapën vlerën mbi 17,618 milionë lekë, ose 4.11% më shumë se në vitin 2018. “Gjatë vitit 2019, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,350,075 me një rritje 3.18% krahasuar me vitin  2018. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.73 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.90% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.37%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.30% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.70% të totalit të tregut.

Gjatë vitit  2019, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,377 milionë lekë, ose 8.58% më pak se në vitin 2018” vlerëson AMF.

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit  2019 arritën rreth 11,222 milionë lekë, ose 4.58% më shumë se në vitin 2018.

Sipas AMF produkti MTPL e brendshme, në vitin 2019 pati një rritje prej 5.15 % të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.91% krahasuar me vitin 2018. Produkti Karton Jeshil në vitin pati një rritje prej 5.41% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 22.73% krahasuar me vitin 2018.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – dhjetor 2019, pati një ulje 6.86% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2018. Numri i kontratave gjithashtu u ul me 4.90%./Monitor.al

1.png

2.png

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071308612823486
array(1) { ["section"]=> string(73) "termeti-rriten-ndjeshem-kontratat-e-sigurimit-te-prones-ne-dhjetor-193462" }