Tetë SKENARËT e zgjedhjeve të 25 prillit, ja pse janë ndër më të rëndësishmet e këtyre 30 viteve

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:47 09-10-2020 Tetë SKENARËT e zgjedhjeve të 25 prillit, ja pse janë ndër më të rëndësishmet e këtyre 30 viteve

Nga Freard Rista

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në 25 prill 2021, e megjithatë fushata e cila duhet të nisë me rregull një muaj para, tashmë ka filluar. Brenda, por dhe jashtë parlamentit, nëpër studio televizive dhe rrjete sociale po bëhet “luftë“ e madhe gjelash. Këshilli Politik prodhoi '5 qershorin', mirëpo nuk mundi të shërojë krizën politike që fatkeqësisht ka depërtuar thellë në palcë.

Tri partitë e mëdha, me në krye Ramën, Bashën dhe Kryemadhin po bëjnë çmos për të marrë pushtetin, aq sa dhe presidenti po bën opozitë. Maxhoranca ndërkohë po përdor "truket elektorale" me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe duket se është një hap para. Opozita ka dalë në rrugë dhe po zhvillon takime me qytetarët, ndërsa presidenti pas çdo dekorate lëshon dhe ndonjë akuzë “bombë“ ndaj qeverisë. Partitë e vogla mërmërisin me shpresën se do e marrin ndonjë copë nga tepsia.

Palët janë ndarë dhe për pak muaj pritet të nisë “lufta”, për ato që mund të konsiderohen si zgjedhjet më të rëndësishme të këtyre 30 viteve, për vetë liderët politikë, por edhe për shqiptarët. Cilët janë skenarët më të mundshëm?

I- PS me në krye Edi Ramën fiton pastër, si në vitin 2013

Nëse ndodh që PS të fitojë sërish, si partia si lideri i saj hyjnë në histori. Kjo është ëndrra e vetë Edi Ramës. Që nga viti 1990 nuk ka ndodhur që një parti të fitojë tri mandate rresht dhe dikush të qendrojë 12 vjet kryeministër. Rama ka eksperienca me “tri mandate rresht”, nëse kujtojmë kohën kur ka qenë kryetarë Bashkie i Tiranës. Do të tingëllonte bukur për të, “tri mandate kryetar bashkie, tri mandate kryeministër”, sa kohë konsiderohet si njeri më shumë i formës se sa i përmbajtjes.  

II- Nëse ndodh skenari i sipërpërmendur, atëherë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë të djegur politikisht. Asnjë prej tyre, sidomos Basha, nuk mund të qendrojë ende në krye të partisë në pritje të ikjes së Ramës, me shpresën se do të marri pushtetin. Këtë gjë nuk do e lejojnë as partitë përkatëse dhe as populli. Në 2013 Berisha e pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen, në 2017 Basha humbi dhe pse kishte shumë ministra teknikë, e për këtë humbje akuzoi qeverinë se i bleu votat. Në 2019 nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale duke ia hapur vetë rrugën Ramës, ndaj një humbje tjetër në 2021 është fatale për kreun demokrat. Nëse Rama fiton sërish me votë të pastër popullore, mesazhi është i qartë: Shqiptarët duan atë, jo Bashën apo Kryemadhin.

III- Nëse realizohen dy skenarët e mësipërm, Rama ka shanse të shkruajë historinë, pasi me marrjen e mandatit të tretë, ai ka “vulosur” dhe mandatin e katërt. Kjo për dy arsye: 1 – Me djegien politike të Bashës, PD pritet të kalojë në krizë më të thellë se sa ajo e 4 viteve më parë. Berisha nuk e ka më forcën për të vendosur qetësi dhe rend në parti. Ndaj dhe PD do e ketë sfidën e jetës gjetjen e një lideri i cili do arrijë të mund Ramën në 2025. 2- Gjatë mandatit të tretë Rama do përpiqet të mbyllë vrimat në popull. Pa dyshim do jenë dëmshpërblyer të gjithë të prekurit nga tërmeti dhe tek tuk qytetarët që i penalizojë pandemia e koronavirusit. Këto përkthehen në vota. Për të mos harruar përmbushjen e projekteve që kanë nisur, në çdo fushë. Ndërkombëtarët do i jenë pranë dhe ai do bëjë çmos të integrojë Shqipërinë në BE. Një tjetër ëndërr e Ramës kjo, i cili së fundmi është “klonuar” si Ismail Qemali, por që nuk po kërkon t’i japë pavarësinë, por lirinë shqiptarëve, duke i futur në BE.

IV- Rama mund edhe të fitojë, por jo pastër. Përveç trukeve elektorale që po përdor, ekzistojnë dhe mënyra të tjera, nëse kujtojmë këtu përgjimet që publikoi gazeta gjermane BILD. Shit-blerja apo tjetërsimi i votës është diçka që ka ndodhur dhe askush nuk na siguron që nuk do të ndodhë edhe në vijim. Nëse ndodh kjo, padyshim reagimi i ndërkombëtarëve, i opozitës dhe i popullit do jetë i madh. Nëse zgjedhjet manipulohen në favor të qeverisë aktuale, parashikohet kaos dhe Rama do e shohë veten të rrëzuar nga pushteti, brenda qershorit 2021.

V- Nëse pushtetin e merr opozita, Rama e sheh veten jashtë politikës dhe karriera e gjatë njëzet e ca vjeçare merr fund. Do të dalë dhe do të japë dorëheqjen njësoj siç bëri Berisha në 2013. Por çfarë do të ndodhë me PS mbasandej? Me shumë gjasa do e zërë “mallkimi” i PD dhe do përfshihet nga kriza për gjetjen e një lideri të ri, që të pëlqehet jo vetëm nga partia, por dhe nga populli. Dorëheqja e Ramës do prodhojë krizë brenda partisë dhe do të nisë lufta se kush do ta marrë në dorë PS. Emra dhe alternative ka, siç kishte dhe PD-ja, mirëpo jo gjithmonë fiton ai që e meriton.

VI- Nëse pushtetin e merr opozita, nuk parashikohet që populli shqiptar t’ja hedhë varfërisë, sepse do përsëritet 2009-2013. Asokohe e ndanë pushtetin Berisha me Metën, tani do e ndajnë pasardhësit e tyre, Basha me Kryemadhin. Asgjë e re nga fronti i perëndimit. Mbetet mister roli i presidentit aktual Ilir Meta, të cilit i mbaron mandati në 2022.

VII- Nëse opozita fiton, a do t’i mbajë premtimet e saj? A do e shpëtojë ekonominë shqiptare? A do i fusë në burg të gjithë ato emra që ka përmendur, përfshirë këtu dhe kryeministrin Rama, apo si gjithmonë këto deklarata mbeten vetëm në kornizën e premtimeve elektorale? Nëse nuk përmbush asnjë premtim, Basha do mund të qendrojë në krye të qeverisë vetëm 4 vjet, njësoj si në bashki. Si hakmarrje, mund të ndërpresë projektet e nisura nga PS, por që çdo ndërprerje e tillë është kosto për shqiptarët, pasi kompanitë koncensionare do dëmshpërblehen nga buxheti i shtetit.

VIII- Mund të mos ndodhë asnjë prej skenarëve të mësipërm. Duket e pamundur, por zgjedhjet dhe mund të shtyhen. Pandemia është faktor negativ, por dhe reagimi i opozitës mund të jetë befasues. Protestat nga pakënaqësitë kanë treguar që përmbysin sisteme dhe krijojnë kaos, sidomos kur një pjesë e madhe e popullit është e pakënaqur.

Megjithatë, kurdo të zhvillohen zgjedhjet dhe kushdo të marrë pushtetin, vështirë se mund të fryjë një erë e re për Shqipërinë e shqiptarët. Kjo, pasi fituesit e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme janë po të njejtët njerëz këtu e 30 vite. Një klasë politike që e ka lodhur popullin shqiptar, i cili që në kohën e Skënderbeut, lufton të shohë dritë në fund të tunelit kilometrik të tradhëtisë dhe korrupsionit, që fare mirë mund ta quajmë prostitucion administrativ.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.012763977050781
array(1) { ["section"]=> string(97) "tete-skenaret-e-zgjedhjeve-te-25-prillit-ja-pse-jane-me-te-rendesishmet-e-ketyre-30-viteve-223262" }