Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviçin në Forumin ‘To be Secure’ që mbahet në Budva, theksoi se izolimi ndërkombëtar i Kosovës është i padrejtë.
Presidenti tha në Forum që durimi që kanë bërë qytetarët e Kosovës duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret.
Sipas tij mbajtja në izolim e qytetarëve dhe bllokimi i perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Europian është një padrejtësi e madhe.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi shkruan se BE nuk duhet të vonohet për këtë vendimmarrje, sepse sipas tij sa më shumë vonesa, aq më shumë rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajon.
Postimi i plotë:
‘Në panel me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, para një audience të zgjedhur në forumin ‘To Be Secure’ në Budvë, sot diskutuam hapur për vendet tona, Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Thelbësor në këtë kontekst është fakti që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, për t’u bërë ky rrugëtim më shpejt është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajonin tonë.
Padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës po vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve tanë dhe bllokimi i perspektives për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk është duke kërkuar alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kjo duhet të jetë e qartë, si për qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, dua të ritheksoj fuqishëm se në rast se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare (BE, NATO dhe OKB), do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit e institucioneve dhe qytetarët tanë duhet ta mendojnë seriozisht rrugën tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë. Durimi ynë duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret!’, shkruan presidenti Thaçi.