Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përsëritur edhe një herë për sot, thirrjen për pjesëmarrje në protestë ditën e nesërme, duke shtuar se gjatë një ore nuk do të shënohet ansjë incident.
Basha thotë se protesta do bllokojë për 1 orë trafikun rrugor në disa prej akseve kryesore të vendit, por “trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korrupsionit do të marrin fund një herë e mirë”.
Postimi i Bashës në Facebook:
Nesër mes orës 11:00 dhe 12:00 qytetarët do të bllokojnë transportin kombëtar anembanë Shqipërisë. Në rrethrrotullimin e Shqiponjës dhe në kryqëzimin e teknologjikut në Tiranë, në rrethrrotullimin e Plugut, në rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit në Milot, në rrethrrotullimin e Bradasheshit e kudo do të jenë qytetarët e veriut, jugut, lindjes, perëndimit dhe të gjithë Shqipërisë.
Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gjë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për një orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korrupsionit do të marrin fund një herë e mirë. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe ne jemi njerëz të kurajos qytetare.
Policia e shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se tek qytetarët e bashkuar nesër do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre dhe të gjithë atyre që nëpërkëmben, që keqtrajtohen dhe që frikësohen nga ky pushtet. #NgrihemiBashke #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe