Persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar zyrën elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Delvinës.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur gjatë natës, rreth orës 01:30. Kanë qenë zyrtarët e selisë rozë atë që kanë bërë denoncimin në polici, pasi kanë parë mëngjesin e sotëm se çfarë kishte ngjarë.
Sipas 'Top Chanel' raportohet se agresorët kanë qëlluar më gurë dhe sende të forta në drejtim të zyrës, duke thyer kështu xhamat e godinës. Fill pas ngjarjes reagoi dhe Partia Socialiste e Delvinës, e cila ka dënuar aktin dhe ka bërë thirrje për qetësi, pasi sipas saj ngjarje të tilla nuk i shërbejnë klimës parazgjedhore dhe as banorëve. Bashkia e Delvinës, drejtohet nga Rigels Balili, nipi i Klement Balilit, ky i fundit i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Sakaq, policia ka nisur hetimet për identifikimi dhe vënien në pranga të autorëve të ngjarjes.