TIRANË TË BËFSHA GROPËN!

Publikuar tek: pa-stres, më 08:56 11-09-2019 TIRANË TË BËFSHA GROPËN! Edi Oga

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Tirana është një qytet absurd! Unë nuk e kuptoj Tiranën!

Po bëj 30 vite që studioj, punoj e punoj në Tiranë dhe përsëri nuk e kuptoj Tiranën!

Edhe unë si ju, erdha në Tiranë për një punë më të mirë që do të më siguronte një jetë më të mirë sesa ajo në qytetin tim.

A gjeta punë më të mirë? Po. A po jetoj më mirë? Jo. A po ankohem? Jo. Po përpiqem të kuptoj pse Tirana është kjo që është sot dhe a mund të bëhet e jetueshme për mua dhe për ty?

Sapo del nga shtëpia, gjen plehra në ashensor, në sheshpushim, në hyrje të pallatit...!

Disa komshinj ta kthejnë përshëndetjen, disa jo. Të shohin sikur u ke ngrënë bukën!

Kur del nga porta e pallatit, sheh se shtëpia private që ishte dje aty afër, nuk është më. Në vend të saj është një gropë nga e cila do të mbijë një pallat. Sapo të mbarojë ky pallat, një tjetër shtëpi do të shembet dhe një tjetër pallat do të mbushë gropën. Shumë shpejt kupton se lagja jote nuk është veçse një pallat i stërmadh. Nuk e di tek ju, por tek mua pallatet ndërtohen me shumë zhurmë. Kam vite që më duket sikur jetoj në mes të një kantieri ndërtimi. Pallate në ndërtim nga të katërta anëte horizontit.

Zhurmë dhe pluhur. Po të hap dritaren, miliarda grimca të përhime mezi presin të futen në mushkërinë time dhe të shkaktojnë sëmundje me emra të vështirë.

Makinën e ke lënë diku larg, sepse parkimin e rrugës tënde bashkia e ka bërë me pagesë me orë. Ty nuk të leverdis, sepse ti e lë makinën aty shumë orë.

Qarkullimi është një kaos i madh! Rrugë të çara! Trafik! Shoferë, biçiklistë dhe kalimtarë që nuk merren vesh në mes tyre! Sharje dhe ofendime!

Shkon në treg për të blerë ushqime!

Për ushqimet mund t'ju shkruaj vëllime të tëra, por po e lë për njëherë tjetër.

Njerëzillëku ka marrë fund që kur babëzia për të fituar lekë, nuk ka kursyer as elementin kryesor të jetës, ushqimin. Buka është pa proteina, bulmeti pa yndyrë, frutat dhe zarzavatet janë pothuajse si objekte plastike. Edhe uji. Ujin e pijshëm që duhet ta kishim në rubinet 24 orë në ditë, e kemi 24 në javë. Nuk është i pijshëm. Bën vetëm për t'u larë me orar.

Fëmijët nuk kanë ku të luajnë. në këndet e lojrave ka vetëm shilarëse! Nëse ndonjëra funksionon, ka tetë fëmijë që presin në rradhë gati për të qarë!

Duket sikur Tirana ka vetëm të këqia, por nuk është e vërtetë!

Në Tiranë ka opera, teatro, kinema dhe muze. (Këtë fjali e kam marrë të gatshme)

"Ej, mos u anko, do më thoshte dikush që jeton në ndonjë qytet tjetër, Tirana ka bllokun!"

Po. Blloku është vendi ku të rinj dhe jo vetëm, jetojnë bukur, sidomos natën.

Unë nuk e frekuentoj dot bllokun:

  1. Lodhem në punë dhe natën fle shpejt.
  2. Më kanë thënë se alkoli të bën dëm.
  3. Nuk kam pistoletë.

Ata që kanë mundësi, e kanë braktisur qytetin dhe kanë zënë periferitë. Po edhe atje nuk po i lënë të qetë. "Meqë aty ka njerëz, do të thotë se aty jetohet mirë. Prandaj le të dërgojmë aty edhe njerëz të tjerë që të jetojnë mirë edhe ata. Le të ndërtojmë pallate edhe aty e t'ua shesim shtrenjtë. Le të hapim një tjetër gropë në Tiranë...!"

Tiranë të bëfsha gropën!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « JEMI TË DËNUAR ME 'VARJA'!
»
Article Logic
Execution time: 0.031667947769165
array(1) { ["section"]=> string(30) "tirane-te-befsha-gropen-178040" }