Tortura në Shqipëri, cilët janë komisariatet më të dhunshme sipas Avokatit të Popullit

Publikuar tek: aktualitet, më 13:12 20-07-2015 Tortura në Shqipëri, cilët janë komisariatet më të dhunshme sipas Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit, nëpërmjet një raporti  për vitin 2014 ka sjellë propozimet dhe rekomandimet për përmirësime në polici, burgje, repartet ushtarake, qendrat e azilkërkuesve dhe qendrat e pritjes së viktimave të trafikut.

Komisariatet më problematike për ushtrim dhune dhe keqtrajtim psikologjik? Komisariati 1, 2, 3, 4, 5, 6 në Tiranë, ai në Shijak, në Lezhë, Në Mirditë, në Mat, në Shëngjin dhe në Devoll. Këto janë komisariatet ku janë vënë re më shumë ankesa nga qytetarët.

Janë trajtuar 35 kërkesa nga qytetarët për dhunë nga policia, ndër të cilat rezultuan 8 ankesa të provuara, 20 të paprovuara si pretendime dhe 7 jashtë juridiksionit. “ Nga 8 rastet e provuara të dhunës të konstatuar në Komisariate dhe IEVP, për 2 raste i është rekomanduar organit të Prokurorisë fillimi i hetimeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit për veprën penale të “Torturës”, e kryer në bashkëpunim. Ndërsa për 6 rastet e tjera, organeve të Policisë së Shtetit dhe IEVP-ve, i është rekomanduar marrja në shqyrtim e pretendimeve të ankuesve. Organi i Prokurorisë ka filluar hetimet ndaj punonjësve të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe të punonjësve të Komisariatit të Policisë Lezhë; Ndaj punonjësve të Komisariatit Nr. 4, Tiranë, është dhënë 1 masë disiplinore; Në përgjigje të rekomandimit mbi dy ankesat dërguar Komisariatit Nr. 4 Tiranë ka filluar Ecuria Disiplinore; Në përgjigje të rekomandimit drejtuar IEVP Vlorë mbi dy ankesa, megjithëse është marrë përgjigje pranuese, nuk ka pasur asnjë reagim me masa administrative. Rekomandimi për rastin e dhunës së provuar nga ana e MKPT-së dhe Seksionit të veçantë, drejtuar IEVP Drenovë, Korçë, rezulton i papranuar.”, bën me dije raporti.

Në burgje është vënë re një mbipopullim i tyre, me deri 15000 persona mbi kapacitet. Po kështu në burgje kishte mungesë psikologësh si dhe nuk ofrohej arsim i detyrueshëm në IEVP Lezhë, Lushnje, Vaqarr, Tepelenë, Fushë-Krujë dhe Burrel.

“Shpërblimet për punën e kryer  në të gjitha institucionet (përveç IEVP Burrel) bëheshin me ditë ulje nga dënimi, gjë që nënkupton paragjykim të fajësisë për kategorinë e të paraburgosurve. Po në këtë kuadër, për punën që kryenin të paraburgosurit në këto institucione, nuk paguhej vlera përkatëse e sigurimeve shoqërore, gjë që sjell mos vlerësimin e kohës së punës në institucion si kohe vjetërsie në punë. Të dënuarit nuk ishin të pajisur me librezë pune dhe as me atë të kontributeve shoqërore”, bën me dije raporti, duke shtuar se burgjet kishin probleme amortizimi, lagështire dhe mungesë të furnizimit me energji dhe ujë, insekte, mungesë kuzhinash, dushesh, ambjente ajërimi etj. PO kështu në burgje janë vënë re probleme në kujdesiun shëndetësor, mungesë të pajisjeve me libreza shëndetësore, mosfunksionim të shërbimit stomatologjik dhe mungesa në furnizimin me e higjienës personale si pastë dhëmbësh, furçë dhëmbësh, shampo, si dhe të detergjenteve të nevojshme për të pastruar qelitë.

“Kushtet në dhomat e sigurisë në Batalionin e Policisë Ushtarake Sauk, Tiranë ishin të papërshtatshme për t’u ofruar ushtarakëve me masën “ndalimit disiplinor” një akomodim dinjitoz dhe konform standardeve. Mungonte sistemi i monitorimit me kamera vëzhgimi në korridoret e dhomave të sigurimit në Batalionin e Policisë Ushtarake Sauk, Tiranë dhe në Komandën e Forcave Tokësore, Reparti Ushtarak Nr.1010 Vau Dejës, Shkodër. Kushtet e ambienteve të takimit  me familjarët ishin të papërshtatshme krahasuar me standardet.  Mungonin zilet elektrike në dhomat e sigurisë. Ushtarakëve që mbaheshin në këto dhoma nuk u ofrohej një paketë me produkte të higjienës personale. Plotësimi i rubrikave në regjistrat për ndalimin disiplinor, ishte i mangët si në Batalionin e Policisë Ushtarake Tiranë ashtu dhe në Komandën e Forcave Tokësore, Reparti Ushtarak Nr.1010 Vau Dejës Shkodër. Kishte prani të mjeteve të forcës, shkop gome dhe pranga në zyrën e përgjegjësit të dhomave të sigurisë së Batalionin e Policisë Ushtarake Tiranë. Mungonte ngrohja në dhomat e sigurisë të Batalionit të Policisë Ushtarake Sauk, Tiranë dhe të Komandës së Forcave Tokësore, Reparti Ushtarak Nr.1010 Vau Dejës, Shkodër”, shkruan raporti.

Lidhur me Spitalin Psikiatrik të Shkodrës,  Elbasanit dhe Vlorës, janë evidentuar raste kur personat janë shtruar në kundërshtim me ligjin. Aty s’është respektuar hapësira jetike, s’ka dhoma të veçanta, nuk monitorohen me kamera.

“Mungesa e mjeteve të kufizimit fizik në Spitalin Psikiatrik Elbasan, Vlorë dhe Shkodër. Mungesa e medikamenteve të grupit të antipsikotikëve, antidepresivëve stabilizuesve të humorit etj. në Spitalin Psikiatrik Elbasan. Kushtet higjieno-sanitare, thuajse në të gjitha ambientet e këtyre Institucioneve, ishin jashtë standardit e me lagështirë të theksuar”, raporton Avokati i Popullit.

Kurse Qendra Kombëtare e Azilkërkuesve s’ka një jurist që të merret me problemet e azilkërkuesve, madje  nuk i plotësonte nevojat me staf me edukatorë, kujdestarë dhe staf mjekësor. Personat e strehuar në QKPA nuk furnizoheshin me veshmbathje sipas stinës dhe grup-moshave.  Këndi i lojërave për fëmijët, ndonëse ekzistonte si mjedis, nuk ishte i plotësuar me pajisjet e nevojshme. Qendra e Mbyllur për të Huajt Kareç nuk i plotësonte nevojat me staf për komunikime në gjuhën dominonte të të huajve, shërbime psiko-sociale, juridike dhe mjekësore.Mungonin aparatet kartofonike, televizorët e antenat për të mundësuar informimin e të huajve mbi ato çfarë ndodhin jashtë qendrës e në vendet e tyre të. Sistemi i ngrohjes ishte jofunksional. 

Për qendrën Kombëtare Pritëse për Viktimat e Trafikut, Linzë ka mangësi në furnizimin periodik të përfituesve me pajisje vetjake sipas grup moshave, probleme të mosfunksionimit të sistemit ngrohës. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Grupi i PS vendos miratimin e projektiligjit për Arsimin e Lartë
Ministri Tahiri kritikon IKMT: Ka vepruar si bandë »
Article Logic
Execution time: 0.010769128799438
array(1) { ["section"]=> string(91) "tortura-ne-shqiperi-cilet-jane-komisariatet-me-te-dhunshme-sipas-avokatit-te-popullit-16603" }