Trupi i pajetë i 23-vjeçares Elanda Haziraj, e cila u shtyp nga treni gjatë qëndrimit të saj në Gjermani, ku kishte ikur si azilante është përcjellë ditën e shtunë për në banesën e fundit. Të tronditur, mes lotëve dhe dhimbjes, familjarët dhe të afërm të saj i kanë dhënë lamtumirën të resë, e cila humbi jetën tragjikisht, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur.
“Lajmin e hidhur e mësuam përmes familjarëve të djalit dhe shoqërisë së tyre në Gjermani. Nuk e besonim, do të donim të ishte gënjeshtër. Ka qenë babai i Saimirit ai i cili ka qenë duke folur në telefon me të. Aty është ndërprerë biseda për shkak se ka dëgjuar ulërima”, ka rrëfyer një nga kushërinjtë e saj për “GSH”-në.
Ai shprehet se ende ngjarja nuk është sqaruar dhe se bashkëshorti i saj Saimir Gjokpalaj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Di të them se është shumë e rëndë dhe e papërballueshme. Mos i ndodhtë askujt kjo që na ndodhi neve! Shkuan për jetë më të mirë dhe përfunduan keq. Fat i keq i tyre”, shprehet ai.
Ai tregon se dy të rinjtë ndonëse të arsimuar ishin të dy të papunë . Djali ka përfunduar studimet për “Shkenca Politike” , ndërsa 23-vjeçarja kishte studiuar “Gjuhë Letërsi”.