Vrasja e dy motrave në Ballsh nga Gazment Musta më dy janar tronditi mbarë opinionin publik dhe për pasojë ngjarja vijon të marrë ende vëmendje.
Së fundmi, është bërë e ditur se gjatë ceremonisë mortore të dy motrave Gerntiana dhe Merisa Caushi, vëllai i tyre nga dhimbja e madhe ka pësuar vdekje klinke.
Këtë fakt e bëri të ditur kryebashkiaku i Ballshit, Agron Kapllanaj, i cili tregoi dramën e kësaj familje gjatë një prononcimi për gazetarët.
“Kam qenë prezent edhe gjatë ceremonisë së varrimit dhe kam parë që ata kanë përjetuar një dramë të vërtetë. Vëllai i dy viktimave ka pësuar vdekje klinike gjatë varrimit dhe më pas u shoqërua urgjent në spital. Falë Zotit ai sot është mirë.”- tha ai.
Gjithashtu përveç këtij fakti, kryebashkiaku bëri me dije se edhe i ati viktimave ndodhej në gjendje të rëndë. ” Babai i tyre është në gjendje të rëndë, pasi ka qenë dhe i sëmurë. Ne jemi munduar që dhe do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë afër, duke i ndihmuar edhe nga ana ekonomike që t’i heqim një pjesë të shpenzimeve të funeralit. Do i propozojmë Këshillit Bashkiak miratimin e një fondi specifik për këtë rast.” përfundoi kryebashkiaku.
Pasditen e 2 janarit Gazment Musta goditi me thikë për vdekje gruan dhe kunatën e tij. Shkak për këtë u bë sipas dëshmisë së autorit, një sherr i momentit, ku ky i fundit nuk e kishte lejuar bashkëshorten të shkojë tek familja e prindërve të saj. E gjithë ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve përkatësisht 6 dhe 3 vjeç. Ndërkohë, mësohet se fëmijët janë dërguar në fshatin Sos ku po trajtohen nga psikologë.