Sot qindra qytetarë të kryeqytetit u është dashur të pëshkojnë në këmbë distanca të gjata për të mbërritur në vendet e tyre të punës. Nga ora 5 e mëngjesit deri në 8, është pezulluar e gjithë lëvizja e urbanëve të Tiranës, si pasojë e grevës që punonjësit e linjave ndërqytetëse po zhvillojnë. Por pas kësaj greve, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër jo të rrisë çmimin e biletës, kërkuar prej tyre, por vetëm të diskutojë disa masa lehtësuese.
Në përgjigje të grevës së transportit publik ditën e sotme që paralizoi lëvizjen e qytetarëve, Bashkia e Tiranës do të shohë vetëm kushte lehtësuese për ankesat e drejtuesve të linjave brenda qytetit. Kushtet lehtësuese do të kenë të bëjnë me heqjen e akcizës për karburantet, heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe subvencionin për shtresat që marrin shërbim falas.
Përveç problemeve që kanë shkaktuar sot me lëvizjen e qytetarëve, përfaqësuesit e transportit qytetës thonë se do ta përshkallëzojnë protestën e tyre, duke pezulluar nesër për 24 orë të gjithë transportin, gjë që do të sillte probleme të mëdha në lëvizjen e banorëve
Zija Hasanaj, përfaqësues i Sindikatës së Transportit Urban, thotë se kërkesa kryesore, që të anullohet pezullimi i lëvizjes së urbanëve është ngritja e çmimit të biletës, nga 30 në 70 lekë. “Duam që çmimi i biletës të miratohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës’’, thotë Hasanaj.
Ky çmim kundërshtohet fort jo vetëm nga qytetarët, që në të vërtetë janë ‘’pronarët’’ e këtij shërbimi publik, por edhe Bashkia e Tiranës.