TRANZICION APO RRUMPALLHANË!

Publikuar tek: pa-stres, më 08:27 06-11-2019 TRANZICION APO RRUMPALLHANË!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Diku nga mesi i viteve '90, filloi të fitojë qytetari termi i padëgjuar më parë, tranzicion!

Një term i ngjashëm me të i përdorur edhe në kohë të diktaturës ishte tranzistor, që kishte konotacion pozitiv, pasiqë radiot "moderne" dhe kanoçet e antenave përmbanin tranzistorë, për kohën maksimumi i teknologjisë.

Shqiptarët në moton madhore "liri - demokraci", u ngritën dhe aspiruan për një sistem të ri ekonomiko-shoqëror, për ekonominë e tregut dhe një shoqëri të lirë, të hapur e me të drejta të plota të mendimit dhe shprehjes.

Ne ishim të rinj atëbotë dhe mendonim se kalimi nga "ferri" në "parajsë" do të ishte çështje muajsh, shumë shumë dy-tre vitesh. Por ishim gabuar. Ashtu si "purgatori" i kristianëve që zgjat me mijëra vjet, edhe neve na "u shpif" një periudhë e ndërmjetme që më të diturit e quajtën tranzicion. Kuptimi i kësaj fjale, është ai i një periudhe kohore me gjithçka ndodh në të, i cili të dërgon pashmangshmërisht në një destinacion të mirëditur dhe të mirëpritur!

Ky është problemi me tranzicionin tonë!

A po na dërgon ai vërtetë atje për ku ishim nisur?

Nëse po, kur do të mbarojë?

Ka qenë e shëmtuar jeta në sistemin e kaluar, komunisto-totalitaro-socialist, por më kuptoni kur them që nuk është fare bukur të kalosh pjesën më të madhe të jetës në tranzicion, as në qiell, e as në tokë, as në ujë e as në stere, as mish e as peshk...

Është i çuditshëm tranzicioni!

Tranzicioni është ferr për disa, purgator për të tjerë dhe parajsë për një pakicë. Një pakicë politikanësh, biznesmenësh, juristësh, kodoshësh e kriminelësh të cilët prosperojnë në tranzicion njësoj si minjtë në një hambar të braktisur gruri! Kaq i frutshëm është tranzicioni për ta, sa nuk kanë asnjë arsye ta drejtojnë për diku me tjetër emër, e aq më pak ta shkurtojnë në kohë. Ata e kanë marrë tranzicionin, i kanë mbyllur sytë dhe e kanë rrotulluar rreth vetes si fëmijët në atë lojën e tyre, ku pasi rrotullohesh dhjetë herë, kur të lëshojnë të merren këmbët dhe nuk di nga shkon derisa rrëzohesh!

Si mund të gjejë rrugën e duhur tranzicioni në një vend ku një njeri i vetëm kontrollon të gjithë pushtetet, mediat dhe oligarkët?! Vendi nuk ka gjykatat më të larta! Pushteti lokal është i emëruar nga i pari i vendit! Parlamenti është reduktuar në një teatër karagjozllëku! Opozita është e dobët dhe liderat e saj nuk frymëzojnë, përkundrazi, dekurajojnë! Shkollat po vuajnë, spitalet në pikë të hallit, pensionet po falimentojnë, krimi ka marrë përmasa të frikshme...! Për të gjitha këto dhe jo vetëm, destinacioni për ku ishte nisur ky tranzicion, na i mbylli dyert! Evropa nuk na do!

Të lodhur nga tranzicioni i gjatë, shpresëthyer se kjo dreq periudhe me këtë emër të shpifur një ditë do të përfundojë, shqiptarët largohen... largohen drejt vendeve ku tranzicioni ka mbaruar me kohë dhe ku jetohet në një epokë me një tjetër emër!

Po sikur edhe në Shqipëri  të ketë mbaruar tranzicioni dhe nuk e kemi kuptuar?!

Po sikur të ketë mbaruar tranzicioni dhe të kemi hyrë në një sistem të ri?

A do t'i shkonte këtij sistemi emërtimi turko-bizantin RRUMPALLHANE?!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « VETEM DIELLIN NUK KANË TRUKUAR!
»
Article Logic
Execution time: 0.025663137435913
array(1) { ["section"]=> string(34) "tranzicion-apo-rrumpallhane-184864" }