Tranzicioni dhe Kultura

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:44 30-07-2015 Tranzicioni dhe Kultura

Thelbi i tranzicionit është ndryshimi dhe implementimi në vend, në një kohë të caktuar i standardeve të gjithë pranuara të cilat garantojnë kalimin në një stad të ri, më cilësor të shoqërisë dhe të institucioneve tona demokratike. Këto standarde duhet të përfshijnë të gjithë sferat e jetës: politike, ekonomike, sociale, fetare, të artit dhe kulturës, ato të edukimit përmes arsimit etj. Sigurisht që ky është një proces shumë i vështirë dhe me sfida të jashtëzakonshme.

E gjithë shoqëria shqiptare gjatë këtyre 23 viteve ka qënë në përpjekje të vazhdueshme për të riformësuar vetveten. Duke përshkruar rrugën e saj, çmoj se ajo ka qënë gjithmonë e qartë për përkatësinë e vet europiane, e po ashtu edhe orientimi politik i gjithë spektrit politik shqiptar ka qenë pro evropian. Por fatkeqësisht, në praktikë, ky proces ka rezultuar problematik dhe me elementë të dukshëm të mungesës së kohezionit midis aspiratës së shqiptarëve dhe sipërmarrjes politike.

Një aspekt tjetër, shumë i rëndësishëm i tranzicionit lidhet me rolin dhe rëndësinë që ka kultura dhe trashëgimia jonë kulturore në të. Kultura shqiptare është formësuar gjatë procesit historik të ballafaqimit dhe të shkëmbimit të ndërsjelltë kulturor të vlerave duke qënë edhe ajo vetë në një proces tranzitiv të seleksionimit të tyre pa vënë në dyshim vlerën e gjithëkohëshme të saj. Megjithëse në fqinjësi me dy prej qytetërimeve më të rëndësishme të botës antike: grek dhe atë romak; e më pas me atë otoman e bizantin gjatë mesjetës; sot shihet mjaft qartë se kultura shqiptare, krahas shkëmbimit natyror, ka mundur të japë edhe ajo kontributin e saj në këtë proces ballafaqimi, duke lënë gjurmë tipike në fytyrën e tanishme të kulturës sonë. Ky fakt është më se i vërtetë, kur kujton se mjaft personalitete të shquara europiane si shkrimtari Prosper Merime e kanë pohuar qysh herët këtë marrëdhënie konstante kulturash në tranzicion. Duket se aksioma e Folklerit se “… e kaluara nuk vdes kurrë, madje ajo nuk është as e kaluar”, është prova se gjatë tranzicionit të një shoqërie, kultura është pjesa më e konsoliduar e saj.

Me sa duket, vlera dhe rëndësia e një kulture nuk është në proporcion të drejte me peshën gjeopolitike të një vendi. Këtë gjë e konsideroj mjaft të rëndësishme pasi ishin pikërisht këto kultura identitare shumëshekullore, të cilat në rastin e tranzicionit të gjatë që kaluan të gjithë vendet e Europës postkomuniste, arritën që të mos identifikonin ideologjinë me atë ç`farë realisht këto vende përfaqësonin vërtet, në hartën e re të Europës në pikëpamje të kulturës sonë të përbashkët. Ishte kultura e vërtetë e krijuar nga popujt respektive që arriti të përballonte gjatë tranzicionit të vendit dhe shoqërisë, si ksenofobinë e krijuar nga ideologjia e po ashtu edhe kozmopolitizmin e momentit të hapjes politike të vendit. Do të jetë pikërisht kultura ajo që në rradhë të parë do të shuajë dallimet të cilat krijohen ndërmjet shteteve me zhvillim të ndryshëm ekonomik. Në këtë vështrim, duket se vëmendja ndaj kulturës, është më shumë se sa mund të mendohet.

Për sa më sipër, duke ju referuar fushave të tjera të jetës, kujtdo i lindnin një sërë pyetjesh:
-Përse sot pas 23 vitesh përpjekje, Shqipëria është ende në proces të realizimit të refomave dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim në Bashkimin Europian?
Sa ka ndikuar në këtë proces e kaluara historike dhe a kemi ende sot pasoja të së kaluarës historike në shoqëri dhe tek drejtuesit politikë?
A përbën kultura politike e shoqërisë dhe e politikanëve një element të rëndësishëm në realizimin e proceseve tranzitore? Nëse po, a do të kishim zhvillime të ndryshme politike po të kishim një klasë politike më vizionare dhe të matur?

Në fund të fundit cili do të ishte rezultati i pritshëm në fund të tranzicionit, a do të kishim një shoqëri evropiane në Shqipëri apo do të flasim përsëri duke përdorur antibolën se: "Cili është vendi i Shqipërisë se vogël me kontinentin e madh evropian"?

Nga akademiku Vasil Tole/ 30 korrik 2015

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0072472095489502
array(1) { ["section"]=> string(29) "tranzicioni-dhe-kultura-17324" }