Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Koçijançiç deklaroi ditën e sotme se çështja e statusit përfundimtar të kombinatit ‘Trepça’ duhet të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Menjëherë pas deklaratëës së saj ka reaguar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili e ka sulmuar hapur teksa shprehet se BE-së i ka humbur rruga në oborr.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj thotë se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.
‘Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënësës së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës’, shkruan Haradinaj.