TURIZMI, QË KRIZA TË KTHEHET NË OPORTUNITET!

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:37 16-04-2020 TURIZMI, QË KRIZA TË KTHEHET NË OPORTUNITET!

Nga Armelina Lila

Shqipëria prej më shumë se një muaji gjendet përballë sfidave të panjohura dhe shtigjeve përmes të cilave nuk kanë kaluar as superfuqitë e rruzullit më parë.Rreziku real nga e padukshmja në nivel qelize, gjynjëzoi të madh e të vogël e na detyroi t’u bindeshin kufizimeve dhe rregullave tepër strikte në mbrojtje të jetës, duke na izoluar në shtëpine tona, të rrethuar me familjarët. Qëndrimin me ta kaq gjatë e kemi provuar vetëm gjatë pushimeve verore. Teksa gulon malli për miqtë dhe anti-distancat me të cilat kemi jetuar prej momentit kur kemi hedhur hapat e parë në jetë, çuditërisht, gjëja e parë që të vjen ndër mend janë pushimet. Ndryshe nga çdo vit, ku në këtë periudhë planifikonim pushimet verore, mendimet të shpien në të shkuarën. E pikërisht kjo pamundësi për të planifikuar nuk bën gjë tjetër veçse të përshfaq “idiomat” me të cilat përballemi çdo ditë…”Bota nuk do të jetë me e njëjtë paskëtaj”

Vera është në prag. Industria e turizmit në mbarë botën ka hyrë në krizë të thellë. Sipas Shoqatës Botërore të Udhëtimeve & Turizmit, nëse kufizimet e lëvizjeve do të vijojnë dhe paniku kolektiv do të jetë ekzistent edhe pas përfundimit të karantimit, do t’i kushtonte kësaj industrie 46.6 miliard $ në muaj dhe afro 560 miliardë $ humbje në vit. Duhet të kujtojmë që ka qenë pikërisht turizmi sektori që ka nxjerrë nga kriza Europën dhe botën 8 vitet e fundit. Organizata Botërore e Turizmit bën thirrje për ti dhënë përparësi turizmit në përpjekjet e ardhshme të rimëkëmbjes. Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit, i cili përfaqëson industrinë ndërkombëtare të turizmit, udhëtimi dhe turizmi kontribuan me 8.8 trilion dollarë në ekonominë globale gjatë 2018, pra me 10.4% të të gjithë aktivitetit ekonomik.

Natyrisht që situata edhe në Shqipëri nuk duket aspak pozitive, pasi motori që lidh lëvizjet është I fikur tashmë prej më shumë se një muaji.  Kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar dhe mbyllja e plotë ose e pjesshme e bizneseve dhe industrive kanë çuar në kolaps udhëtimin global dhe pritet të zvogëlojnë flukset e të ardhurave duke goditur fuqishëm ekonominë shqiptare. Si rezultat i kufizimeve, janë anulluar & pezulluar pagesat për rezervimet incoming *turistët e huaj* drejt Shqipërisë. Entuaziazmi që na shoqëronte para pandemisë është shuar bashkë me dinamizmin e projekteve dhe planeve për një sezon të suksesshem veror.

Sipas raportit të INSTAT -Turizmi Në Shifra Shqipëri 2019, gjatë 2018, aktivitetet që i përkasin kategorisë së turizmit gjeneruan rreth 45 miliardë lekë vlerë të shtuar, duke kontribuar në këtë mënyrë me rreth 2,8 % në PBB. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit e vlerëson këtë kontribut me rreth 4.1% e PBB për faktin se shpenzimet që turistët kryejnë, kanë edhe efekte të tjera indirekte në ekonomi. Vitet e fundit turizmi ka qenë sektori kryesor që ka mbajtur në këmbë rritjen ekonomike të Shqipërisë duke qenë burimi kryesor i valutës në vend, madje edhe më shumë se investimet e huaja.

Eksperienca e provuar në vitet e fundit ka treguar se aftësia e sektorit në hedhjen e hapave para, ka shumëfishuar rikuperimin edhe në sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ndikimi i turizmit në ekonominë e vendit si dhe ndikimi social e kanë kthyer në një nga sektorët prioritarë të Qeverisë për planin strategjik 2020-2022 si dhe në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.  Agjencitë turistike dhe operatorët turistikë punësojnë rreth 90,000 punonjës direkt dhe rreth 290,000 punonjës indirekt sezonalë, të cilët rrezikojnë vendet e punës si rezultat i mungesës së aktivitetit të sherbimit duke dhënë një efekt të jashtëzakonshëm në nivelet e papunësisë në rang vendi. 

Nëse do ti referohemi statistikave, shifrat flasin për rritje 2019-2018 në masën 13.6%-16.2% të shtetasve të huaj dhe shqiptarë që hyjnë në territor. Sa i takon qëllimit dhe arsyes së udhëtimit “Pushime “gjatë vitit 2019 kemi një rritje prej 8% krahasuar me 2018.  Duke u kujdesur në llogaritje dhe për të qenë sa më realist, gjatë vitit 2019 janë rregjistruar rreth 4 milionë turistë të cilët kanë frekuentuar vendin tonë, pa përfshirë ketu lëvizjet e të huajve që punojnë në shqipëri apo ata që kalojne transit.

Të dy linjat brenda sektorit të Turizmit, fluksi hyrës i turistëve në vend dhe ai dalës i turistëve janë cënuar totalisht, pasi e para është fashë e biznesit që mundëson valutën dhe konsumin vendas, kurse pamundësia e fashës së dytë është pikërisht tatim fitimi si dhe TVSH potenciale  që do ti mungojë arkës së shtetit. Ndërkohë që parapagimet e kryera nga operatorët turistike ndaj kompanive ajrore charter si dhe hoteleve jashtë vendit ka krijuar mungesë likujditeti të njësite e shërbimit duke bërë të pamundur jetëgjatesinë dhe mbijetesën e tyre.

Paketa e dytë ekonomike e prezantuar nga Qeveria nuk është e mjaftueshme për të mbajtur në këmbë sektorin, i cili është goditur nga mungesa e kërkesës dhe ofertës për shërbime. Si rrjedhojë ka nevojë për mekanizma të veçantë mbijetese dhe plan të studiuar hollësisht për të shmangur pasojat afatgjata që mund të sjellë dështimi. Subvencionimi i pagave si dhe lehtësi të tjera fiskale, do ti kushtojnë më pak Shtetit krahasuar me asistencën e papunësisë të kësaj kategorie për një vit të tërë. 

Përqendrimi i vendit aktualisht me të drejtë në luftën dhe parandalimin e krizës shëndetësore duhet të ecë paralel me planifikimin e rihapjes së ekonomisë.

E gjendur përballë kësaj vështirësie, instiktivisht natyra njerëzore është e prirur drejt pozitivitetit dhe qëndron shpresëplotë se vemendja e Qeverisë në bashkëpunim tepër të ngushtë me drejtuesit e sektorit të turizmit, duhet kthyer drejt së mirës së mundshme që mund të lindë nga kjo situatë.

Në kushtet e një kufizimi global mund të jetë alternativë optimiste ndërtimi i politikave nacionaliste dhe rajonale si dhe bashkërendim masash ekonomike dhe politikbërje të koordinuara në rang rajonal. Nëse do ti referohemi “Babait të Ekonomisë”, Adam Smith dhe teorisë së avantazhit konkurrues, argumenton se një vend mund ta zotërojë atë nëse ka produktivitet të lartë ose kosto të ulët në prodhimin e një malli krahasuar me vendet e tjera. E pikerisht Forumi Botëror Ekonomik, në rubrikën Indeks i Konkurencës në Turizëm për 2019, e vlerëson shumë pozitivisht Shqipërinë për zhvillimin e turizmit deri më sot për faktoret kryesorë si: mjedisi, mbrojtja, siguria, si dhe çmimet konkurruese që ai ofron. 

Situatat e tilla ekstreme duhet të na detyrojnë të bëhemi më kreativ e të gjejmë forcën, zgjuarsinë dhe aftësitë sipërmarrëse për ta kthyer krizën në oportunitet. Ndoshta kjo situatë është një mundësi për të ndalur dhe rimenduar seriozisht ristrukturimin e turizmit, për një ekonomi më elastike dhe që i bën ballë tronditjeve të jashtme.

Ndërveprimi rajonal si dhe orientimi i tregut drejt turizmit domestik do të zhbllokojë ngërçin ekonomik dhe do të shpëtojë tregun e shërbimeve duke rregulluar pozicionet financiare të tyre deri në fund të tremujorit të tretë të vitit aktual.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0092849731445312
array(1) { ["section"]=> string(49) "turizmi-qe-kriza-te-kthehet-ne-oportunitet-202801" }