TURP TË KESH!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:53 15-05-2019 TURP TË KESH!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Pas gjashtë viteve të këndshme në Shqipëri, dy herë nga tre, diplomatit të lartë gjerman ia prishën terezinë!

Dikush ka shkruar me germa të mëdha në murin e pallatit ku ai banon "Borchardt, shame on you", në shqip "turp të kesh Borchardt"!

Duhet të jetë bërë bishë burri i Botës, sepse shteti është vënë në lëvizje sikur t'i kishin vendosur tritol poshtë kolltukut të butë të zyrës!

Nuk më intereson fare se ç'ka thënë, krahun e kujt ka mbajtur, kujt i ka shkelur në kallo, por më vjen për të qeshur sepse më kujton një histori nga shkolla e mesme...

Dikush i kishte futur drejtorit nga poshtë derës, një letër ku shkruhej "turp të kesh o drejtor". Sa e pa, drejtori i thirri të gjithë mësuesit në zyrë për të kuptuar se kush ia kishte shkruar atë letër. Ishte ndonjëri prej tyre? Ishte ndonjë pastruese? Ishte roja i shkollës? Ishte ndonjë nxënës? Ishte ndonjë prind? Ishte ndonjë njeri nga rruga?

Drejtori turfullonte dhe ishte kaq i nxehur, saqë sa herë fliste, depozitonte shkumë blu në cepat e buzëve! Mësuesit e shkretë nuk e kuptonin pse nga një mesazh kaq i thjeshtë, që nuk ishte as ndonjë ofendim i madh në fund të fundit, një njeri duhej të tërbohej sikur e kishin prekur aty ku nuk mbante! "Presori" i fizikës, më i vjetri nga të gjithë, ishte i vetmi që guxoi dhe foli:

-Je nxehur më shumë nga ç'duhet drejtor! Mua nuk më duket as sharje, as ofendim. Thjesht një lloj qortimi i lehtë i thënë me kulturë!

Në vend që të qetësohej, drejtori u bë bishë. U ngrit në këmbë dhe ulëriti:

-Këtë orë të gjitha klasat provim i befasishëm! Provimet do t'i mblidhni dhe do m'i sillni mua t'i korrigjoj! E morët veeeesh!

Donte të krahasonte shkrimet dhe të gjente se kush nga nxënësit ia kishte shkruar atë pusullë.

Shumë vite më vonë, më treguan pse drejtori ishte nxehur aq keq nga një mesazh aq i pafajshëm, "turp të kesh o drejtor"! Më tepër sesa "kush" ia kishte shkruar, drejtori donte të dinte "përse" ia kishin shkruar. Sepse drejtori kishte bërë disa paudhësira ato kohë: kishte marrë lekë në dorë për të futur nja dy mësues të rinj në punë, kishte shitur tezat e provimit të maturës, kishte marrë borxh në të afërm dhe shokë dhe të gjitha paratë i kishte lënë në bixhoz, shkonte me një nga mësueset por edhe me një punonjëse të drejtorisë arsimore, kishte ngacmuar një maturante pasi kishte pirë në një festë, ishte zënë me grushta në zyrë me një prind të një nxënësi që e kishte ngelur tek lënda e vet... pra nuk ishte aq e thjeshtë! Drejtori mendonte se askush nuk dinte asgjë nga ato më lart, se ishin sekrete, por ja që një spurdhjak e kishte marrë vesh dhe nëse ky maskara do të ishte nxënës për tre ditë do ta merrnin vesh të gjithë. Por çfarë? Cilin nga sekretet? Apo të gjitha?!

Paska patur të drejtë drejtori që paska qenë bërë bishë!

Provimi i befasishëm që bëmë atë ditë, ishte i pari dhe i fundit që unë shkrova me dorën e majtë. Të mendosh që letrën poshtë derës ia futa për një ndeshje basketbolli që shkolla jonë e humbi. Drejtori urdhëroi që ndeshjen ta bënim tek fushat jashtë, jo në palestër, se bëhej pis. Për këtë doja ta bëja të ndjehej fajtor dhe t'i vinte turp!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « KESHILLTARE MIZERABEL!
»
Article Logic
Execution time: 0.0065789222717285
array(1) { ["section"]=> string(19) "turp-te-kesh-164398" }