Kryetari i Këshillit Suprem të Televizionit dhe Radios në Turqi (RTUK), İlhan Yerlikaya i ka dërguar një letër homologut të tij shqiptar, kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Salës, që të ndikojë për bllokimin e një dokumentari që transmetohet në Plus HD në Digitalb.
Bëhet fjalë për dokumentarin “Love is a Verb”, që sipas Turqisë shpërndanë propagandën e Lëvizjes Gylen, të cilën presidenti Rexhep Taip Erdogan e konsideron si organizuese të grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik të 2016-ës.
RTUK kërkon nga Sala që të ndërmarrë të gjitha “masat e nevojshme” kundër Plus HD, që sipas tyre e ka transmetuar shpesh këtë dokumentar kohët e fundit.
Pas kërkesave zyrtare për mbylljen e shkollave, gazetave, portaleve dhe shtëpive botuese që financohen nga Fethulla Gylen, kjo është kërkesa e parë që Turqia bën kundër një televizioni shqiptar.
Letra për Salën vjen pak ditë pasi Turqia ka kërkuar ndihmë nga Zvicra për të gjurmuar kritikët e Erdogan, bazuar në një marrëveshje dypalëshe në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës të të dyja vendeve.