Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), ka njoftuar për fillimin e kontrollit të plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala.
Nisur nga njoftimet në media në lidhje me pasurinë e zotëruar nga Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala dhe nga bashkëshortja e tij Dorela Sala, ILDKPKI njfton se ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Gentian Sala.
Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e Gentian Salës, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Televizioni Ora News, i përfshirë së fundmi në një konflikt me AMA, publikoi dje të dhëna që tregonin se Gentian Sala dhe bashkëshortja e tij janë pasuruar brenda një viti me 164 mijë euro, si dhe kanë marrë dhurata të shtrenjta nga persona anonim.