Eshtë kthyer nga Italia ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës Arben Suloj, i cili kishte shkuar për t’u kuruar pas atentatit të tij. Suloj u plagos rëndë në janar të këtij viti pasi makina më të cilën udhëtonte në Durrës është hedhur në erë nga shpërthimi i një eksplozivi.
Në aeroportin e Rinasit ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithëm i Burgjeve Artur Zoto. Zoto shprehu mbështetjen dhe solidaritetin për uniformat blu të cilat kryejnë detyren pavarësisht rasteve të vështira. “Prania ime është shenjë e një bashkëpunimi institucional”, u shpreh ai.
Vetë Suloj u shpreh se ka besim te drejtësia shqiptare dhe falenderon miqtë, të afërmit dhe qevërinë shqiptare për mbështetjen. Ndërsa i ati i Arben Suloit tha se e rëndësishme është që i biri është gjallë dhe që drejtësia të shkojë në vend. Për këtë atentat është akuzuar grupi i vrasësve me pagesë, të cilët merrnin urdhra nga Burgu i Peqint, nga i burgosuri përjetë Admir Tafili. Sulmi, sipas Prokurorisë është bërë për shkak të detyrës.