Paraditen e sotme në zonën e ish-Parkut ka ndodhur një përplasje me armë zjarri mes disa shtetasve, ku mbeti i plagosur biznesmeni-ndërtues Sino Llanaj.
Sipas njoftimit të policisë, Llanaj është plagosur pas një konflikti të çastit. Gjithashtu, i plagosur ka mbetur dhe një kalimtar i rastit, shtetasi Klodjan Kamino, i cili ka marrë plumb në kofshë.
Policia ka shoqëruar disa persona dhe po punon për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje. Ndërkohë më herët sot dolën detaje se në vendngjarje, madje pjesë e përplasjes me armë zjarri ka qenë dhe biznesmenti Albert Allmuça.
Familjarë të Allmuçës kanë kontaktuar me newsbomb.al dhe thonë se i afërmi i tyre është prej ditësh në shtëpi, i izoluara, për shkak të Covid-19.
Ndërkohë zyrtarisht ka reaguar dhe avokati i z.Allmuça, i cili thotë se klienti i tij nuk ka qenë në asnjë moment në kantier kur ndodhi ngjarja, dhe se shkoi vetë në polici kur mësoi se çfarë kishte ngjarë.
REAGIMI I AVOKATIT
Në lidhje me informacionet e publikuara sot në disa media në lidhje me një konflikt të ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë, dëshirojmë të sqarojmë si më poshtë vijon:
Në respekt të së vërtetës dhe mbrojtjes ligjore për cënimit të imazhit publik, kërkojmë që mediat tuaja të përgënjeshtrojnë informacionet e pasakta dhe t’i referohen burimeve zyrtare për këtë ngjarje si dhe dokumentacionit përkatës, të cilat mund të vendosen në cdo kohë në dispozicionin tuaj.
Në lidhje me marrëdhënien juridike me shoqërinë “Llanaj Ndërtim shpk”, sqarojmë se:
Kompania “Star Construction shpk” është investitore dhe zbatuese e vetme e punimeve në kompleksin e banimit në territorin e zones kadastrale Nr.8220, me numra pasurie 7/336, 7/259, dhe 7/260, midis rrugeve “Ndre Mjeda” dhe “Babe Rexha”, Tiranë, e pajisur me leje përkatëse ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në fillimin e punimeve kompania “Star Construction shpk” ka kryer një kontratë bashkëfinancimi me “Llanaj Ndërtim shpk” për të siguruar një pjesë të punimeve në kompleks. Të drejtën ekskluzive për të nënëshkruar kontratat e shitjes së apartamenteve dhe njësive të shërbimit i përket shoqërisë “Star Construction shpk”.
Për mospërmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e bashkëfinancimit nga ana e shoqërisë “Llanaj Ndërtim”, si dhe për lidhjen e kontratave të prenotimit të ambjenteve të banimit apo shërbimit me palë të treta, subjektet iu drejtuan gjykatës dhe prokurorisë së Tiranës.
Gjykatë e Tiranës me vendimin nr.1416, datë 02.03.2020 të gjykatës Tiranë, njohu vlerën e detyrimit prej 260 milionë lekë të reja të “Llanaj Ndertim shpk” ndaj “Star Construction shpk”. Ky vendim është ankimuar dhe pritet që të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit për të marrë formën e prerë dhe dhënë zgjidhje problemit të krijuar për qytetarët.
Ngjarja e sotme është në vazhdën e një sërë veprimesh të kundraligjshme ndaj punonjësve të kompleksit, nga z.Llanaj apo persona të tjerë të orkestruar prej tij. Duke qëndruar në krah të qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje e rëndë, mbetemi në pritje të vendimmarrjes të shpejtë dhe të drejtë të institucioneve të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese.