Detaje të reja bëhen me dije lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në orën 21:00 në aksin rrugor Orikum-Llogara në Dukat-Fushë të Vlorës.
Mësohet se viktima Benjamin Bezhani (Bezhanaj) u qëllua me disa plumba teksa ishte në makinën e tij, pasi kishte çuar të fejuarën tek prindërit.
Policia u njoftua pas një telefonate nga një qytetar që kishte konstatuar makinën e braktisur anës rrugës, dhe më pas një trup të pajetë brenda saj.
Policia ka ngritur postblloqe në pika kyce për të bërë të mundur kapjen e autorit/autorëve.
Nuk dihet se cili ka qenë shkaku i këtij atentati, por bëhet me dije se 27-vjeçari Benjamin Bezhani më herët ka qenë i dënuar në Itali.
Njoftimi i Policisë Vlorë:
Më datë 01.12.2020, rreth orës 21:00, në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në Fushë- Dukat, Orikum një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pa jetë.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë konstatuar të pajetë shtetasin B. B., rreth 27 vjeç, dyshohet ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.