'Vajzat për Shqipërinë', gazetarja e njohur sjell librin me 51 vlerat shqiptare

Publikuar tek: kulture-art, më 12:42 11-03-2019 'Vajzat për Shqipërinë', gazetarja e njohur sjell librin me 51 vlerat shqiptare

Mes festës dhe protestës, mes dhunës dhe ankesave të punës, Marsi solli edhe një libër vlerash për gjininë femërore. Frymëzuar nga periudha një-vjeçare në Institutin McCain në Washington D.C.,  gazetarja Edlira Gjoni solli nismën “Women Can / Vajzat për Shqipërinë”, ose siç e quan vetë ajo: “Një buqetë vlerash nga vajzat e thjeshta, për Shqipërinë e etur për pozitivizëm”

E filluar në Shtatorin e vitit 2017 nga SHBA, promovimi i vlerave shqiptare përmes portretit të vajzave e grave nga jeta e përditshme, nisi si një faqe në rrjetet sociale #VajzatpërShqipërinë. Më pas, nxitur nga mënyra si portretizohen gratë në media e në jetën publike, Znj.Gjoni vendosi ta kthejë në libër e t’i sjellë ndryshe në vëmendjen tonë.

“Ky vit filloi ashpër me vrasjen e 7 grave në 8 javë. Tragjedi rrëqethëse për vendin tonë të vogël, ku dëgjojmë për gruan ose kur është viktimë, ose kur është personazh publik. Por Shqipëria ka gati 1 milionë e gjysmë gra dhe vajza, për të cilat pothuajse nuk flet askush. Për to vendosa që nismën, nga faqe online, ta kthej në libër, e të flas jo për gratë, por për vlerat” – thotë autorja.

Gjoni sjell në vëmendje 51 vlera të portretizuara në mënyrë simbolike nga portrete vajzash e grash që nuk janë figura publike. Kjo shifër, që pasqyron 51% të popullsisë shqiptare të gjinisë femërore, është sjellë në librin dy gjuhësh, anglisht dhe shqip, për të folur për gruan shqiptare nga një tjetër këndvështrim: nga pozitiviteti i vlerave që ato shfaqin.

“Ky nuk është libër për sukseset profesionale. Qëllimisht, nuk merret me kompetencat, por me karakterin e secilit personazh. Përmes tyre shpjegoj si vajzat shqiptare kanë cilësi të mrekullueshme të cilat ne i anashkalojmë, si p.sh. përkushtimin, kurajon, vërtetësinë,  sakrificën, vizionin, vetëmohimin, ndjesinë e shërbimit për çështje më të mëdha se interesi vetjak, integritetin, fokusin, këmbënguljen, modestinë e shumë të tjera. Një buqetë vlerash, prej të cilave unë kam shkëputur vetëm 51, për të thënë: I kemi vajzat, gratë, nënat, motrat, shumë më të mira nga c’zgjedhim t’i portretizojmë” – shpjegon gazetarja.

Gjoni drejton tani Qendrën për Ndikim Publik, mbështetur nga Instituti McCain në SHBA, prej ku është kthyer rishtazi pas studimeve për Lidershipin e Udhëhequr nga Karakteri.

Promovimi I vlerave shqiptare e veçanërisht i imazhit pozitiv të grave, vajzave e të rinjve të Shqipërisë, është thelbi i sipërmarrjes së saj te re.

Libri “Women Can/Vajzat për Shqipërinë”, që u publikua simbolikisht në 8 Mars, gjendet pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

FB_IMG_1552113252577.jpg

FB_IMG_1552113255757.jpg

FB_IMG_1552050826089.jpg

 

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0063939094543457
array(1) { ["section"]=> string(83) "vajzat-per-shqiperine-gazetarja-e-njohur-sjell-librin-me-51-vlerat-shqiptare-155982" }