Veç turmat pa tru duan të përmbysin statujat e të tjerëve

Publikuar tek: analiza-komente, më 21:52 12-06-2020 Veç turmat pa tru duan të përmbysin statujat e të tjerëve

Nga Artan Lame

ASKUSH PERVEÇ KUJTDO

Ngado përqark Globit (natyrisht në pjesën e zhvilluar të tij) ka nisur një gjueti e marrë kundër statujave.

st.jpg

Askush që nuk ka jetuar në shekullin e dytë e të tretë, kur gjithë botën e përfshinë ethet e dënimit të të krishterëve të parë, nuk mund ta kuptojë se çdo të thotë fanatizëm.

Askush që nuk ka jetuar dy shekuj më pas, në shekujt e IV e të V, nuk mund ta kuptojë marrëzinë që përfshiu njerëzinë kundër çdo gjëje që kishte mbetur pagane, përfshirë edhe statujat e botës klasike greko-romake.

Askush që nuk ka jetuar në shekujt e IX e të X, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që shkatërronin ikonat dhe mozaikët, nën fanatizmin e ikonoklastisë.

Askush që nuk ka jetuar në shekullin e XIV, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që, për të shpëtuar nga murtaja, digjnin shtrigat, macet, ebrejtë e gjithfarë tjetër.

Askush që nuk ka jetuar në shekullin XVI, nuk mund ta kuptojë marrëzinë e turmave që digjnin njerëz të pafajshëm për herezi fetare, të qëna e të paqëna.

Askush që nuk ka jetuar në Amerikën e shekullit të XVII, nuk mund ta kuptojë gjuetinë e shtrigave.

Askush prej sa më sipër, nuk mund të kuptojë se si turmat e padijshmëve nuk mund të kuptonin se nuk ndreqeshin hallet e tyre duke thyer statuja e duke djegur ikona, duke denoncuar njëri-tjetrin për heresi a për shtrigëri.

Por është dikush që mund t’i kuptojë dhe e ka për detyrë ndaj qytetërimit dhe historisë që të flasë.

Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e ka jetuar se ç’tmerr janë turmat që djegin ikona, e thyejnë statuja, e grisin librat e Botës së Vjetër, në emër të Botës së Re që nuk erdhi kurrë.
st2.jpg
Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e ka jetuar se ç’tmerr është kur njerëzit e tmerruar denoncojnë njëri-tjetrin me shpresën të shpëtojnë kokën e vet.

Kushdo që ka jetuar në botën komuniste, e di tashmë se asnjë problem nuk zgjidhet duke spastruar sheshet nga statujat (po flitet për të hequr Kolombin si pushtues!); asnjë problem nuk zgjidhet duke spastruar librat nga emrat (po flitet për të spastruar librat nga Indro Montaleli!); asnjë problem nuk zgjidhet duke duke ndaluar filmat (po ndalohet “Bashkë me erën” për racizëm dhe “Bracio di Ferro” se pi duhan!).

Thjesht po humbim kujtesën dhe njeriu pa kujtesë është veç gallesë vegjetuese. Kur e gjithë kjo dalldi të marrë fund, bota nuk do të jetë bërë më e mirë, thjesht do ketë mbetur më e varfër.
st3.jpg
Botën që kemi e ku rrojmë, me të mirat e të këqiat e saj, e kemi vetëm falë asaj që na lanë e ndërtuan ata që sot po u shtiem statujat e po u grisim librat. Askush (veç diktatorëve) nuk e bën dot vetë statujën e vet. Dhe duhet të bësh goxha vepra në jetë, që t’i vësh në detyrim moral pasardhësit, që të të bëjnë statujën kur të mos jesh më ndër të gjallët.

Veç turmat pa tru që, si të tilla, janë të paafta për të bërë vepra që meritojnë statuja e libra, mund të duan të lartohen duke përmbysur statujat e të tjerëve.

Ata që e kanë provuar, na i lanë mësimin: “Fillon gjithmonë duke djegur librat dhe përfundon duke djegur njerëzit. Për fat të keq i kemi hyrë kësaj rruge. S’di t’ua them, nëse pa kthim, apo ka ende shpresë.

Titulli i vendosur në web është redaksional

st4.jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0099859237670898
array(1) { ["section"]=> string(65) "vec-turmat-pa-trru-duan-te-permbysin-statujat-e-te-tjereve-210099" }