Veliaj: Do rrisim investimet pa rritur çmimin e ujit, kapaciteti i Bovillës do shtohet me 30%

Publikuar tek: aktualitet, më 20:16 01-02-2017 Veliaj: Do rrisim investimet pa rritur çmimin e ujit, kapaciteti i Bovillës do shtohet me 30%

Bashkia e Tiranës do të rrisë investimet për modernizimin e rrjetit dhe shërbimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, pa rritur çmimin e tij. Këtë tha sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë analizës vjetore të ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, e cila u zhvillua në Bovillë. Ai theksoi se për herë të parë gjatë vitit 2016, UKT-ja doli me fitim, duke krijuar më shumë mundësi për investime, pa prekur çmimin e ujit.

“Një administrim më i mirë i ndërmarrjes e nxorri atë me fitim për herë të parë në 25 vjet. Mund të ketë shumë njerëz që thonë nëse jemi me fitim, pse s’kemi ujë 24 orë? Sepse krahasuar me këtë fitim, investimet e kryera nga UKT janë shumëfishuar. Por, besoj se është lajm i mirë që fitimet i përkthejmë në investime, sigurisht duke ruajtur çmimin e ujit që kemi sot”, tha kryebashkiaku Tiranës.

1221.png

Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës është duke kërkuar mënyra bashkëpunimi edhe me aktorët privatë për të bërë të mundur shtimin e investimeve, të cilat do të sjellin më pas edhe një shërbim më të mirë të qytetarëve me ujë. Duke u ndalur te situata aktuale, ai bëri të ditur se furnizimi me ujë në Tiranë është dyfishuar në krahasim me 1 vit e gjysmë më parë, por duke theksuar se ajo është ende larg ambicies për të pasur furnizim me ujë pa ndërprerje. “Për 500 mijë banorë, gjendja e ujit sot në çezmat e tyre është si dita me natën. Një qytet që kishte 7 deri në 8 orë ujë, sot ka 14-15 orë ujë. Është gjë shumë e mirë, por ende shumë larg ambicies sonë për 24 orë ujë në ditë”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi si një nga sukseset më të mëdha të UKT-së rikthimin e besimit të qytetarëve. Për këtë ai iu referua telefonatave që qytetarët bëjnë për të zgjidhur një problematikë të caktuar. “Më parë nuk e merrte njeri në telefon ujësjellësin. Ndaj, më vjen mirë që fitimi i besimit të njerëzve është ndoshta arritja më e madhe këtë vit. Do të doja që të investohemi te besimi i njerëzve”, shtoi Veliaj. Ai u shpreh se për shkak të abuzimeve me ujin, UKT-ja nuk arrinte të nxirrte të ardhura të nevojshme për të funksionuar dhe për t’i shërbyer qytetarëve. “Fakti se 72% e mallit nuk shkonte te ai që e paguante ishte skandaloz. Sot kemi një përmirësim me 10% të kësaj situate, që është ende shumë pak, por duke ditur se kjo është një punë mikroskopike, ku në çdo shkelje, në çdo stacion, në çdo vjedhje, në çdo çarje, duhet kuruar sikur po qëron orizin dhe të shikosh se si rrjeti kthehet nga një kulluese makaronash ku rrjedh çdo gjë, në një rrjet i cili është aty për ta çuar mallin e paguar në çezmën e atij që e ka paguar”, tha ai.

Veliaj tha se 1/3  e ujit të pijshëm që rrjedh nga Bovilla humbet teksa kalon nëpër zonën e Kamzës dhe të Paskuqanit. Për këtë arsye, ai i bëri thirrje kreut të Bashkisë Kamëz që të bashkëpunojë për të zgjidhur këtë problematikë. “Pjesa më e madhe e humbjeve për Tiranën ndodh në momentin kur uji nga Bovilla shkon drejt Tiranës dhe kthehet në një kulluese makaronash teksa kalon në Kamëz dhe në Paskuqan. Kjo do bashkëpunim. Ndaj i bëj thirrje publike kryetarit të bashkisë, që marrja e pesë votave më shumë nga njerëzit që abuzojnë me ujin nuk është politikë afatgjatë”, tha Veliaj, duke shtuar se vjedhja e ujit nuk është një “biletë” për të dalë nga varfëria, por një çmim edhe për pjesën tjetër të Tiranës, që në fakt e paguan ujin dhe detyrohet të gjejë mjete alternative për të siguruar ujë.

Për të rritur edhe më tej performancën e kësaj ndërmarrje, si dhe shërbimin ndaj qytetarëve, kryebashkiaku ka kërkuar nga drejtuesit dhe punonjësit e UKT-së që të vazhdojnë me ritmin që dëshmuan gjatë 2016. “Është lajm shumë i mirë që kemi rritur të ardhurat me 18%, është lajm shumë i mirë që kemi rritur abonentët me 26 mijë. Sot, ardhja në Tiranë nënkupton edhe integrimin në rrjetin e Tiranës, jo vetëm rrjetin me ujë, por edhe në atë financiar dhe të pagesave, me një kod qytetar ku operojmë me rregulla dhe me standard shumë më të lartë se pjesët e tjera të vendit. Do të doja që projekti i leximit elektronik të matësve të vazhdonte ta bënte kompaninë më inteligjente. Sot, leximi elektronik i faturës, jo vetëm e ka bërë Ujësjellësin më të ndershëm, por i ka dhënë garanci çdo qytetari që të ketë mundësi të verifikojë skedën e vet”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga UKT që të rrisë edhe më tej bashkëpunimin me qytetarët, duke iu përgjigjur çdo kërkese që vjen prej tyre, për çdo avari që mund të ketë në sistem. Një nga investimet më imediate që do të bëjë Bashkia është ajo në impiantin e Bovillës, e cila do rrisë kapacitetin e furnizimit me ujë të Tiranës me afro 30%. Veliaj shtoi se në kuadër të Planit të Përgjithshëm Vendor është e nevojshme që të realizohet një masterplan edhe për ujin, në mënyrë që të përcaktohen zonat se ku duhet të jenë investimet më të mëdha për të shmangur çdo investim të gabuar.

 

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Aksident horror në Gjirokastër, dy makina i kalojnë sipër këmbësorit duke i marrë jetën tragjikisht
“Mjeku popullor” shëron lemzën dhe epilepsinë nga celulari »
Article Logic
Execution time: 0.012033939361572
array(1) { ["section"]=> string(96) "veliaj-do-rrisim-investimet-pa-rritur-cmimin-e-ujit-kapaciteti-i-bovilles-do-shtohet-me-30-67399" }