Me marrjen e funksioneve mbi pyjet dhe kullotat, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për vënien në zbatim të projektit për monitorimin dhe kontrollin e fondit pyjor, i cili realizohet për herë të parë në Shqipëri dhe ka për qëllim raportimin në kohë reale nga salla operative të kundravajtjeve në pyje dhe të vatrave të zjarrit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, mori pjesë në përurimin e zyrave të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, që do të zbatojë projektin e monitorimit dhe kontrollit të fondit pyjor për zonën Kllojkë, Fag dhe Shëngjergj.
Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës, përveç mbjelljes së fidanëve të rinj, do të tregojë një kujdes të veçantë edhe për monitorimin e hapësirës së gjelbër të kryeqytetit, me qëllim ruajtjen e fondit pyjor. Ai theksoi se për këtë qëllim janë vendosur edhe kamera të teknologjisë së fundit, të cilat do të sinjalizojnë në kohë reale për të mundësuar edhe shuarjen e shpejtë të zjarreve.
“Nuk mund t’i vëmë roje çdo peme dhe besoj se bën sens që, teksa shtojmë pyllëzimin në Tiranë, teksa shtojmë gjelbërimin dhe nisim mbjelljet për pyllin orbital, është shumë e rëndësishme që fuqinë njerëzore ta fokusojmë në këto projekte të reja, e njëkohësisht të ruajmë fondin pyjor që kemi trashëguar. Dua t’u bëj me dije se tashmë kemi vënë në funksion një kamera termike dhe një kullë vrojtimi në Malin e Dajtit, e cila përfshin rreth 300 km katrorë. Do të thotë se mundemi të shohim në kohë reale nëse dikush po dëmton pyjet. Tani që edhe pyjet e zjarrfikëset menaxhohen nga Bashkia e Tiranës, jemi më efiçentë për të shuar zjarret e parandaluar çdo dëm që mund t’i ndodhë fondit pyjor”, tha Veliaj.