Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kërkojnë që shtatorja e Skënderbeut, e vendosur për festat e Nëntorit në Komunën e Prizrenit, të rimodelohet dhe të zhvendoset. Nënkryetari i PDK Shaqir Totaj dhe deputetja Eliza Hoxha kanë mbajtur sot një konferencë dhe kanë kritikuar Komunën e Prizrenit.
Totaj ka thënë se duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te vendndodhja ku komuna ka vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin tonë kombëtar.
“Keqqeverisja perveç pothuajse të gjitha fushave tjera ku ka dështuar, shkon aq larg sa që tallet edhe me vet figurën e Skenderbeut e rrejedhimisht edhe me historinë e ndritshme kombëtare simbol i të cilës është vet Gjergj Kastrioti”, ka shtuar ai.
Totaj ka bërë të ditur se PDK në Prizren do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë te jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale ku do të kërkohet rimodelim i shtatores se Skenderbeut dhe ndryshimin e vendndodhjes, sepse figura e tij meriton vend më të mirë.
Ndërkohë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se shtatorja e vendosur në Prizren është fyerje për vetë figurën e Skënderbeut dhe qytetin.
“Arti është diçka që përjetohet nga të gjithë dhe qytetarët nuk janë naiv sa pushteti komunal i Vetëvendosjes mund t’i cilësoj. Përmendorja e Skenderbeut e shpalosur para nesh është fyrje për vet ‘figurën e Skenderbeut por edhe për Prizrenin”, është shprehur Hoxha.