Veseli: Serbia të reflektojë, Kosova është shtet i pavarur

Publikuar tek: rajon, më 23:49 16-07-2019 Veseli: Serbia të reflektojë, Kosova është shtet i pavarur Foto ilustruese: Kryeparlamentari i Kosoves Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se vendi i tij nuk bën me Serbinë asnjë marrëveshje, e cila cënon sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. 

Ai tha se Serbia tenton të krijojë situata përmes të cilave të përfitojë për vete. Zoti Veseli tha se e mbështet idenë e një pezullimi të përkohshëm të tarifës ndaj mallrave serbe për t'i hapur rrugë rifillimit të bisedimeve, nëse kjo do të ishte e nevojshme. Por, sipas tij, një pezullim i tillë nuk mund të jetë i përjetshëm. Zoti Veseli ndodhet në Uashington për takime me anëtarë të Kongresit amerikan dhe personalitete të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, procesi i bisedimeve me Serbinë është pezulluar dhe qëndrimet e palëve kanë bërë që të dështojnë edhe përpjekjet ndërkombëtare për ripërtëritjen e procesit. Cila është rrugëdalja sipas jush?

Kadri Veseli: Zgjidhja është: Serbia duhet ta njohë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, territorin në të cilin jemi. Ne, po ashtu, do ta njohim shtetin e Serbisë. Jemi për hapjen e një epoke të re, një epoke të bashkëpunimit dhe të komunikimit. Kjo do të na lehtësonte ne dhe Serbinë, për faktin se kanë kaluar dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Serbia e di saktësisht se e ka humbur Kosovën. Serbia tenton të manipulojë, të krijojë situata përmes të cilave mendon të përfitojë për vete.

Zëri i Amerikës: Serbia e di fare mirë se çfarë duhet bërë, sipas jush?

Kadri Veseli: Unë mendoj se Serbia e di, por ne të gjithë, bashkarisht, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojmë Serbinë që ta pranojë këtë realitet që tashmë ajo e di.

Zëri i Amerikës: Kosova është nën trysninë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe si pengesë për rifillimin e bisedimeve. Ju i keni refuzuar thirrje të tilla. A nuk e bën kjo Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut?

Kadri Veseli: Tarifa është një histori e dhimbshme e sjelljes së Serbisë karshi Kosovës. Për dy dekada Serbia nuk i ka njohur produktet e Kosovës, nuk lë qytetarët tanë të qarkullojnë lirshëm. Nëse shikoni sot, i kemi qindra mijëra bashkatdhetarë tanë me fëmijë të cilët presin nëpër kufijtë e Serbisë me Kosovën për t’u futur në Serbi apo për të dalë nga Serbia në Kosovë. Janë të gjitha këto sjellje, të cilat janë destruktive.

Ne kemi vendosur tarifa si kundër-reagim ndaj kësaj politike destruktive të Serbisë, por asesi nuk duam që tarifa të përdoret si përgjigje dhe komunikim i yni me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse kam ofruar edhe opsionin përmes së cilës ne i themi “Po” Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por duhet të kemi edhe një gjë parasysh në çështjen e tarifës: nuk është mirë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i japin inkurajim Serbisë duke vënë presion të njëanshëm vetëm ndaj Kosovës për çështjen e tarifës, përderisa Serbia na ka vënë ne tarifë që 20 vjet.

Zëri i Amerikës: I keni shtruar këto probleme me zyrtarët amerikanë në takimet me kongresmenët?

Kadri Veseli: I kemi shtruar disa herë. Ka një mirëkuptim të pjesërishëm. Megjithatë, ne si institucione të Republikës së Kosovës do të jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona. Por Serbia duhet të reflektojë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk mundet me bë çka don me ne.

Zëri i Amerikës: Ndonëse pas takimit të Berlinit në fund të muajit prill u tha se “kanë vdekur idetë për prekje të kufijve në këtë proces”, presidenti serb Vuçiç thotë se nuk do ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë, ndërsa presidenti i Kosovës Thaci sërish kërkon bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Cili është qëndrimi juaj?

Kadri Veseli: Kam mendim shumë të qartë. Në radhë të parë Vuçiçi e bën për konsum të brendshëm dhe e din se e ka humbur Kosovën. Kosova është çështje e përfunduar. Për aq sa ne duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve. Unë dëgjova edhe kryeministrin tim tani që fliste për uljen në tryezën e bisedimeve. Ne ulemi kurdo që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian na thonë të ulemi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Por ne nuk bëjmë asnjë marrëveshje, e cila cënon sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, por edhe institucional.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.13576602935791
array(1) { ["section"]=> string(63) "veseli-serbia-te-reflektoje-kosova-eshte-shtet-i-pavarur-172438" }