VETEM DIELLIN NUK KANË TRUKUAR!

Publikuar tek: pa-stres, më 10:00 02-11-2019 VETEM DIELLIN NUK KANË TRUKUAR!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Jetojmë të zhytur plotësisht dhe të pashpresë, në epokën e trukimeve!

Asgjë dhe askush nuk paraqitet në formën e vet natyrale!

Asgjë dhe askush nuk ka interes të paraqitet në formën e vet racionale!

Të gjithë trukohen dhe trukojnë që t'ia hedhin të interesuarve dhe sidomos, blerësve!

TRUKOHEN NJERËZIT

Deri përpara disa dekadave, trukoheshin ekskluzivisht vetëm femrat. Fshihnin rrudhat, puçrat, cikatricet, thinjat, për t'u dukur më të bukura dhe më të reja. Në këtë mënyrë, bëheshin tërheqëse më intensivisht dhe gjatë sesa ishin programuar biologjikisht. Sot trukohen edhe meshkujt. Madje janë më kreativë edhe se vetë femrat. Meqenëse pjesën më të madhe të jetës e kalojmë në rrjete sociale, trukohemi edhe aty. Pa lodhje fare. Ka menduar vetë interneti, me filtra dhe programe apostafat. Je grua mbi 40 vjeç dhe e jo e bukur; të bëjnë të dukesh vajzë nën 30 dhe e lezetshme. Je burrë mbi 50 dhe i shëmtuar, të bëjnë të dukesh nën 50 dhe palaço i pjeshkëzuar!

TRUKOHEN MAKINAT

Ti blen një makinë të përdorur me vetëm 48.000 kilometra. Të duket shumë e mbajtur! Mmm...jo,  thjesht e kanë lyer, e kanë larë nga brenda dhe i kanë hequr një '0' kilometrazhit!

TRUKOHEN NDESHJET

Më parë askush nuk e dinte se kush do të fitonte në një ndeshje boksi, aq më pak në një ndeshje futbolli. Sot, për arsye ekonomike, trukohet çdo përplasje sportive. Ti pret biletën për t'u kënaqur nga kënaqësia e të papriturës. E kotë, dikush e ka paracaktuar fituesin. Ti thjesht sheh një shfaqje të shëmtuar ku sportistët aktrojnë, shpesh keq!

TRUKOHEN FESTIVALET

Gjithnjë ka kpasur dyshime se fituesit në konkurse dhe festivale, kanë qenë të paracaktuar. Shpesh herë këto trukime janë verifikuar si të vërteta. Jo rrallë kanë qenë vetë fituesit që kanë dekonspiruar. Këtë vit ka dyshime se është trukuar Festivali në RTSH. Nuk është fare e pamundur. E pamundur do të ishte sikur fitues të shpallesha unë!

TRUKOHEN LAJMET

I njejti lajm, në media të ndryshme, të vjen i ndryshëm. Jo rrallë, komplet i kundërt. Për çudi, secili nga variantet e lajmit, besohet plotësisht nga një kategori të caktuar audience.

TRUKOHEN TENDERAT

Këtë e kam me të dëgjuar, sepse deri më sot nuk kam marrë pjesë në asnjë tender. Thonë se pothuaj asnjë tender publik nuk jepet në mënyrë të rregullt dhe të ndershme. Fjalë.

TRUKOHEN ZGJEDHJET

Kjo trukimit të zgjedhjeve është nëna e të gjitha të këqijave! I pranoj trukimet e njerëzve, të makinave, të ndeshjeve dhe të festivaleve. More edhe të lajmeve dhe tenderave. Por trukimet e zgjedhjeve?! A nuk është e turpshme?! A nuk është e frikshme?! A nuk është ç'njerëzore?! A nuk është vepër e djallit?!

Kanë trukuar gjithçka! Përveç Diellit në Qiell.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.032907962799072
array(1) { ["section"]=> string(37) "vetem-diellin-nuk-kane-trukuar-184420" }