Vetëvendosje marshim në Tiranë: Në 28 Nëntor bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Publikuar tek: aktualitet, më 16:10 09-11-2019 Vetëvendosje marshim në Tiranë: Në 28 Nëntor bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka njoftuar se do të organizojë në datë 28 Nëntor një marshim për bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës.

Përmes një statusi në ‘Facebook’, VV ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në marshimin që do të mbahet në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i ‘Gjergj Kastriot Skënderbeut’ te monumenti i ‘Adem Jasharit’.

Sipas VV, çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja, por një drejtësi e mohuar aktuale dhe historike.

Statusi i plotë:

MARSHIM PËR BASHKIM

Bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar. Data përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të bashkuar e të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë. Por Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim.

28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë jemi të ndarë, nuk arrijmë dot begati, zhvillim e siguri.

Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare.

Çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja. Ajo është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç’është edhe projekt për të ardhmen e afërt. Është çështje e trashëgimisë kulturore, sa ç’është dhe e prodhimit dhe punësimit. Është çështje për të drejtat e grave e barazinë njerëzore, sa ç’është edhe luftë kundër varfërisë, diskriminimit dhe pabarazive ekstreme. Ajo është çështje e demokracisë dhe organizimit qytetar që vjen nga populli, kundër oligarkisë e mafias që na sundon nga lart. Është nevojë për mirëmenaxhim të burimeve dhe pasurive kombëtare natyrore, ashtu siç është edhe domosdoshmëri për zbatimin e një strategjie për mbrojten e mjedisit. Çështja kombëtare na lidh me njohjen, përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, siç na lidh edhe me të drejtën për arsim pubik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Problemet tona burojnë nga të njëjtat shkaqe, prandaj vetëm përpjekja jonë e përbashkët u jep atyre zgjidhje. Bashkimi i kauzave brenda projektit kombëtar sjell mobilizimin e përbashkët qytetar për drejtësi e zhvillim.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0075600147247314
array(1) { ["section"]=> string(100) "vetevendosje-marshim-ne-tirane-ne-28-nentor-bashkim-kauzash-me-hapa-drejt-integrimit-kombetar-185287" }