VETTINGU nuk ndalet, 35 të larguar nga drejtësia…Instituti i Studimeve Politike bën bilancin e REFORMËS NE DREJTËSI

Publikuar tek: aktualitet, më 12:27 02-01-2019 VETTINGU nuk ndalet, 35 të larguar nga drejtësia…Instituti i Studimeve Politike bën bilancin e REFORMËS NE DREJTËSI

Eshtë koha për bilanc. Instituti i Studimeve Politike ka nxjerrë sot raportin se çfarë ka ndodhur në vend me procesin e vettingut. 35 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga institucionet e drejtësisë është konsideruar “revolucionare”, në një vend ku drejtësia është institucioni që ka shkaktuar jo pak pakënaqësi, raporton newsbomb.al.

Por sipas Institutit të Studimeve Politike, procesi i vettingut është penguar shpesh dhe jo pa qëllim nga politika. Vettingu, thonë ekpertët, po ecën me ritme të ngadalta. Pas 2.5 vitesh janë arritur të ngrihen institucionet e veta KLGJ dhe KLP, ndërkohë që vendi e ka filluar këtë vit pa një gjykatë Kushtetuese dhe pa gjykatën e Lartë. “Në thelb, reforma po imponohet nga jashtë, më shumë sesa një product I brendshëm” shkruajnë analistët e raportit.

Konkluzione të RAPORTIT të ISP

Reforma në drejtësi vijon të konsiderohet zhvillimi më i rëndësishëm institucional në Shqipëri që prej korrikut 2016. Vetëm pas rreth 2.5 vitesh është arritur të krijohen KLGJ dhe KLP, strukturat thelbësore në kalimin nga procesi i rivlerësimit tek procesi i ngritjes së institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë në Shqipëri. Procesi i deritanishëm ka ecur me ritme të ngadalta, me vonesa të panevojshme dhe me vështirësi të mëdha politike, sociale dhe profesionale. Në thelbin e vet reforma në drejtësi më shumë po vijon si produkt i imponuar nga jashtë (me nxitje të fortë nga BE, SHBA dhe institucionet perëndimore) sesa si produkt i brendshëm (me mbështetje nga aktorët institucionalë dhe politikë).

Pas 2.5 vitesh reforma në arritur të ketë bilancin e parë në dy nivelet e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Deri tani rreth 16 subjekte rivlerësimi kanë dhënë dorëheqje nga funksionet në sistemin e drejtësisë, 77 subjekte rivlerësimi kanë kaluar përmes procesit të vettingut në KPK, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 12 vendime dhe se 28 vendime janë ende në shqyrtim prej tij. Në total IKP/ONM kanë bërë 16 apelime të vendimeve të KPK, si dhe nga lista prioritare prej 57  subjekteve të rivlerësimit janë ende pa vendim të KPK vetëm 2 subjekte.

Suksesi i deritanishëm i reformës në drejtësi është modest, por reforma nuk ka kthim pas. Vendimet e KPK për të shkarkuar nga funksionet 35 subjekte rivlerësimi, midis të cilëve pjesën më të madhe të Gjykatës Kushtetuese, një pjesë të Gjykatës së Lartë dhe disa drejtues të rëndësishëm të gjykatave dhe të prokurorive në rrethe, janë mirëpritur në publik dhe janë shënuar si zhvillime “revolucionare” në një vend, ku për vite më rrallë individët e pushtetshëm nuk kanë mbajtur dhe as dhënë përgjegjësi përballë akuzave për korrupsion, abuzim me pushtetin, lidhje me krimin ose paaftësi.

Fokusi kryesor i dy viteve të fundit ka qenë vettingu, pra përjashtimi nga sistemi I individëve që nuk plotësojnë njërin prej tre kritereve kushtetuese, duke lënë jashtë vëmendjes aspektet e tjerë të rëndësishme të reformës, prurjet e reja në sistem, sistemin e karrierës, përmirësimin e cilësisë së punës në dhënien e drejtësisë, transparencën dhe rritjen e pavarësisë dhe profesionalizmit. Vettingu nuk është reforma në drejtësi, por vetëm një prej fazave të saj përbërëse.

Vetë procesi i vettingut ka nxjerr në pah devijimet e dukshme nga afatet, standarde të dyfishta në gjykimin e të njëjtave problematika, presionet politike dhe nga grupet e interesit, diferencat në formim e gjykim midis vetë strukturave të vettingut, dominim të vlerësimit vetëm në komponentin e pasurisë duke evituar vlerësimin mbi aftësinë apo integritetin, si dhe mungesë të një strategjie të qartë të KPK/IKP/KPA lidhur me subjektet prioritare në rivlerësim dhe reflektimin ndaj ankesave që vijnë nga publiku. Disa komisionerë morën vendime që u provuan të gabuara, si dhe 8% e vendimeve u përcaktuan nga 1 votë diferencë. Strukturat e vettingut dhe personeli ndihmës kanë nevojë për trajnim profesional dhe se vetë KPA duhet të njësojë standardet e vlerësimit.

Në fundin e vitit 2018 është ngritur KLGJ dhe KLP, është formatuar KED e përkohshme, është ngritur Komisioni Koordinues në Kuvend për reformën në drejtësi, dhe se me fillimin e vitit 2019 nis procesi konkurrues për SPAK, vendet vakante në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, si dhe për postet e tjera të sistemit të ri të drejtësisë. SPAK u përdor shumë në retorikën politike, ndërkohë që ajo nuk ekziston ende. Vijon të ketë hendek të dukshëm midis premtimeve të faktorit politik për reformën, pritshmërive publike dhe kapaciteteve të organeve e vullnetit real politik për jetësimin e reformës, sidomos të SPAK dhe BKH.

Gjykata Kushtetuese është prej muajsh jo funksionale, Gjykata e Lartë është në limitet e legjitimitetit të vendimmarrjes dhe se me ecurinë e procesit të vettingut pritet që të krijohet boshllëk edhe në nivelet e tjera të gjyqësorit, sidomos në gjykatat e apelit dhe ato administrative. Autorët e reformës në drejtësi duhej ti kishin marrë parasysh këto situate për të ofruar rrugëzgjidhje optimale ligjore dhe parandaluar krizat institucionale. Teza e përfitimit afatgjatë në kushtet e gjendjes afatshkurtër pa institucione funksionale të drejtësisë, është e gabuar, dhe dëmtuese për besimin publik tek reforma.

Parlamenti ka marrë shumë më tepër kohë sesa duhej për të miratuar ligjet e paketës së reformës në drejtësi dhe pas 2.5 vitesh ende disa prej ligjeve nuk janë miratuar. Struktura e Komisionit Koordinues u ngrit me shumë vonesë dhe përbërja e tij lë për të dëshiruar. Qeveria vijoi të jetë e vonuar dhe të demonstrojë mungesë strategjie në përmbushjen e detyrimit të saj ligjor për mbështetje cilësore e në kohë të organeve të vettingut dhe të drejtësisë me infrastrukturën e nevojshme.

Vettingu në drejtësi u bë lajtmotiv për aplikimin e të njëjtës praktikë edhe në politikë, në media, në qarqet akademike, në sport, etj, - një tregues se publiku e sheh pozitivisht procesin dhe një shenjë e lodhjes së shoqërisë nga establishmenti vendimmarrës por edhe shenjë e keqpërdorimit të konceptit të vettingut për nevoja politike e populiste.

Ligjërimi politik dhe publik ndaj reformës në drejtësi tregon se aktorët politikë e keqpërdorin reformën në funksion të agjendave ditore politike dhe nevojës për denigrimin e rivalëve politikë, duke nxitur interpretimin politik të çdo akti të reformës në drejtësi dhe duke ndikuar kështu edhe në rënien e besimit të publikut tek produktet e reformës.

Periudha e tranzicionit nga vettingu dhe ngritja e institucioneve të reja, deri në jetësimin tërësor dhe funksionimin e plotë të tyre, po përdorët nga grupe të ndryshme brenda vetë sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë për të përfituar maksimalisht përmes mohimit të dhënies së drejtësisë ose akteve të dyshimta për korrupsion. Kjo kategori pritet të jape dorëheqje në momentet e afrimit të procedurave të vettingut të tyre. Mungesa e lidhjes integrale midis vendimmarrjes për shkarkim nga KPK/KPA me pasojës me hetim e vendosje përpara drejtësisë të subjekteve që provohen se kanë shkelur ligjin, u ka dhënë fushëveprimi dhe imunitet individëve ende të pashkarkuar por me kredenciale negative në sistemin e drejtësisë, si dhe ka cenuar mbështetjen publike për thelbin e reformës në drejtësi.

.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Kryebashkiaku i Tiranës ERION VELIAJ kalon darkën e ndërrimit të viteve me punëtorët e PASTRIMIT: E meritojnë, e bënë kryeqytetin XIXË…
Reshje bore dhe ngrica, ARRSH paralajmëron shoferët: Kujdes...! »
Article Logic
Execution time: 0.012095928192139
array(1) { ["section"]=> string(121) "vettingu-nuk-ndalet-35-te-larguar-nga-drejtesia-instituti-i-studimeve-politike-ben-bilancin-e-reformes-ne-drejtesi-147256" }