Video e vrasjes së Artan Cukut, “lumë telefonatash” në polici dhe zbulojnë identitetin: E njohim autorin

Publikuar tek: aktualitet, më 12:22 16-04-2017 Video e vrasjes së Artan Cukut, “lumë telefonatash” në polici dhe zbulojnë identitetin: E njohim autorin

Publikimi i videos ku shfaqet i dyshuari për vrasjen e komisarit Artan Cuku, duke ikur nga vendi i krimit, ka sjellë një “lumë telefonatash” në Policinë e Tiranës.

Gjatë 24 orëve që pasuan publikimin e pamjeve filmike të personit të dyshuar, policia ka marrë në sallën operative të paktën dy telefonata në orë për këtë rast.

Lajmi u bë me dije nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se qytetarët kanë dhënë informacionet që kishin në lidhje me atentatin e rëndë ku humbi jetën ish­drejtori i Policisë së Vlorës, komisar Artan Cuku. Telefonuesit më të shumtë në numrin 0694110299 i kanë dhënë policisë informacione dytësore, që kanë të bëjnë me lëvizjet e personit të dyshuar. “Disa prej telefonuesve pretendojnë se e kanë parë personin duke vrapuar, në një kohë që përkon me disa minuta pasi kishte ndodhur vrasja”, thanë burimet e Policisë. Sipas tyre, qytetarë të tjerë që kanë telefonuar pretendojnë se e kanë parë të dyshuarin, por orari që ata kanë dhënë përkon me kohën 30 minuta apo një orë para se të kryhej vrasja me pesë plumba e Artan Cukut te pallati ku banonte në Rrugën e Kosovarëve, pranë Gardës së Republikës

Burimet policore kanë thënë se një numër më i kufizuar personash që telefonuan në numrin në dispozicion kanë pretenduar se e njohin personin në video dhe kanë dhënë edhe identitetin e tij. Mësohet se policia po i verifikon emrat e dhënë, ndërkohë që bëhet me dije se identitetet që kanë dhënë qytetarët përkojnë me persona që kanë precedentë të fortë penalë e madje edhe me shtetas në kërkim për vepra të rënda penale, raporton Panorama.

HETIMET

Policia e Tiranës i ka fokusuar hetimet e veta në disa pista kryesore në lidhje me vrasjen e komisarit Artan Cuku. Më kryesorja për policinë është pista e hakmarrjes, ndërsa në hetim është edhe versioni i vrasjes për shkak të detyrës së Artan Cukut si drejtor policie në Vlorë në 2012 dhe zv.drejtor policie në Tiranë. Dosja ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po drejton hetimet, por deri tani vlerësohet se provat e grumbulluara janë të pamjaftueshme për kapjen e autorëve të ngjarjes së rëndë, apo edhe për përcaktimin e shkakut të atentatit. Deri ditën e djeshme në polici janë shoqëruar e marrë në pyetje rreth 35 persona të dyshuar dhe shtetas me dijeni për ngjarjen. Ata janë lënë të lirë për shkak të mungesës së provave për implikimin e tyre në atentatin ndaj ish­zyrtarit të policisë, i cili u ekzekutua në katin e parë të pallatit ku banonte në Tiranë. Dy ditë më parë, policia publikoi një video të personit të dyshuar si vrasës. Videoja u përket pamjeve të marra nga një kamera në zonën ku ndodhi krimi, ndërsa personi që kalon aty përputhet në veshje e karakteristika fizike me shtetasin e filmuar pas krimit nga kamerat pranë pallatit ku u vra Artan Cuku. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bëhet serioze situata, monitorim edhe me snajper në taracën e kishës në mes të Tiranës (FOTO EKSKLUZIVE)
Me pasaportë false dhe drogë në çantë, i riu nga Kabuli tentoi të kalojë kufirin shqiptaro-grek, por del zbuluar »
Article Logic
Execution time: 0.013336896896362
array(1) { ["section"]=> string(106) "video-e-vrasjes-se-artan-cukut-lume-telefonatash-ne-polici-dhe-zbulojne-identitetin-e-njohim-autorin-75358" }