'Videoklipi i prodhuar për Shqipërinë, Liam Nelson dhe filmi ‘Taken’ shpenzim i gabuar'

Publikuar tek: kulture-art, më 08:20 25-02-2019 'Videoklipi i prodhuar për Shqipërinë, Liam Nelson dhe filmi ‘Taken’ shpenzim i gabuar'

Nga Ilir Ciko

Videoklipi i prodhuar për Shqipërinë, Liam Nelson dhe filmin ‘Taken’ mendoj se është shpenzim i gabuar energjish, e ndoshta dhe fondesh publike. Videoklipi vjen 11 vite pas daljes së filmit ‘Taken’, si një lloj kundërpërgjigjje e përdorur por tepër e vonuar, dhe si e tillë krejt e pakuptimtë, që ngjall thjesht kureshtjen ndaj negativitetit të perceptuar prej filmit, si për ata (të huaj) që tashmë e kanë harruar apo që nuk e kanë parë filmin. Pra mund të përforcojë perceptimin negativ, dhe jo ta ndryshojë atë.

Përvojat me raste të ngjashme në botë, kur vende apo personazhe publikë kanë marrë prej artit ngarkesa negative, tregojnë se ka vetëm një rrugëzgjidhje dëshpëruese por të thjeshtë – lëre deri sa të harrohet dhe më pas ndreq ç’të mundesh në imazh. Rasti më grotesk është ai i Borat (Sacha Baron Cohen) me Kazakhistanin. Pas daljes dhe suksesit të filmit, Kazakistani tentoi deri të hapte gjyq ndërkombëtar ndaj Sacha Baron Cohen, por të gjithë këshilltarët mediatikë i sugjeruan qeverisë që duhej vetëm të heshtte pasi çdo sulm veç do të përkeqësonte më tej imazhin e vendit. Pas 10 vitesh, Kazakistani deklaroi që numri i turistëve të huaj që vizitonin vendin ishte dhjetëfishuar dhe Sacha Baron Cohen kishte meritat e tij për këtë gjë, natyrisht përpos kusureve që ende kujtohen dhe sot. Videoklipi ynë tenton të bëjë të kundërtën me Liam Nelson dhe kjo është, sërish, e panevojshme.

Ata që e kanë parë filmin ‘Taken’, e dinë mirë se problemi për shqiptarët i filmit, jo i Liam Nelson, nuk ka të bëjë as me Shqipërinë dhe as me shqiptarët, por me disa shqiptarë që duam a s’duam ne i kemi realitete të përditshme kudo në botë, siç mund të jenë edhe për afganët, edhe për spanjollët, grekët apo sirianët. Videoklipi fokusohet tek Liam Nelson dhe një imazh i bukur i Shqipërisë por anashkalon realitetin që ka përdorur filmi – atë të shqiptarëve që bëjnë krime apo drejtojnë banda nëpër Europë. Fatkeqësisht ky është një realitet i hidhur dhe anashkalimi i tij të jep më shumë ndjesinë e një faji të fshehur me peisazhe piktoreske edhe pse mund të mos jetë i tillë. Po ta mendosh pak më tej vijnë dhe pyetje të tjera si psh. a kemi bërë vallë ndonjë gjë këto 10 vite që numri i këtyre individëve që janë shqiptarë si të gjithë ne, por që damkosin kudo në botë emrin e Shqipërisë, të zvogëlohet? Nëse lexon mediat, statistikat, raportet e BE-së apo plot të tjera druaj se numri i tyre veç vjen e rritet, bëmat zmadhohen dhe bandat sofistikohen, krahas numrit të shqiptarëve që përherë e më shumë largohen, korrupsionit që rritet e shpresës që nuk ka mbetur aq rozë sa në ngjyrat e videoklipit. Ndaj dhe përfshirja e politikës në të, është e pavend dhe tepër e sforcuar.

Njoh mirë dhe besoj se ka Shqipëri të bukur që duhet promovuar, së pari me punë e më pas me imazh. Por nuk mund të kërkojmë të korrigjojmë Liam Nelson (atij ndoshta i duhet kërkuar ndjesë për habinë e dytë që i sollëm këtë herë). Fillon nga vetvetja.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0063979625701904
array(1) { ["section"]=> string(89) "videoklipi-i-prodhuar-per-shqiperine-liam-nelson-dhe-filmi-taken-shpenzim-i-gabuar-154092" }