Pezullohet nga detyra oficeri i policisë në Elbasan, Arjet Jança, pas publikimit të videoskandalit. Mëngjesin e sotëm një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku një polic i Krimeve të Rënda ka dhunuar një person në sy të fëmijëve dhe gruas dhe më pas e ka prangosur atë. Menjëherë pas ngjarjes polici është pezulluar.
Sipas uniformave blu, në vijim të veprimeve paraprake të kryera nga Drejtoria e Standarteve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Policisë Shtetit është pezulluar nga detyra oficeri i policisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Nënkomisar Arjet Jança, deri në përfundimin dhe sqarimin e plotë të çështjes. Ndaj oficerit, bën me dije policia, ka filluar proçedimi disiplinor për veprime arbitare.
Më shumë nga ngjarja:
Oficeri i policisë e arrestoi babain teksa ishte duke lëvizur me bicikletë. Ngjarja ka irrituar shumë të pranishëm, që e quajnë të arrestuarin një person hallexhi. Gjithçka ka ndodhur tek ura e Zaranikës, në afërsi të doganës në qytetin e Elbasanit. Personi që ka parë gjithçka bën me dije se burri me bluzë të bardhë që po i vë prangat hallexhiut të pambrojtur, është polic i krimeve të rënda dhe jashtë orarit të punës.