Disa gjyqtarë u bënë sot “viktima” të vetting-ut, pasi paraqitën dorëheqjen në afatin e fundit të deklarimit të pasurive. Por të tjerë, që i kanë shpëtuar kësaj faze, kanë rënë “viktima” të kameras së fshehtë të “STOP”.
Gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, me 2000 euro merr përsipër të nxjerrë me minimunin e dënimit, personin në paraburgim Kristjan Leka. Kamera sjell me zë dhe figurë nga pazari e deri te dorëzimi i parave.
Gjyqtarja merr përsipër, që përveç vendimit të trupit gjykues, “ta rregullojë” edhe me prokuroren, që kjo e fundit të mos bëjë rekurs. Gjyqi shtyhet, pasi prokurorja Ermira Tafani është pa qejf, por edhe zëvendësuesi Neritan Hoxha, nuk lëviz nga e njëjta skemë. Gjyqtarja Pajtime Fetahu thotë, se për prokurorinë duhen 1500 euro të tjera dhe i paraburgosuri Kristjan Leka shijon lirinë e blerë me valutë.
Pas pamjeve të publikuara ku punonjësi i Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale IEVP Peqin, komisar Behar Kola me detyre Përgjegjës i Grupit te Sigurisë dhe Shoqërimit shfaqet duke marre ryshfet, ka reaguar menjëherë drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në një njoftim për mediat thuhet se Drejtori i Pergjithshem i Burgjeve Miklovan Kopani urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të punonjësit Behar Kola, si dhe kërkoi nisjen e menjëhershëm te procedurës së shkarkimit.