Është vjedhur gjatë natës zyra elektorale numër 5 e Partisë Demokratike në Shkodër. Mësohet se autorët kanë dëmtuar bravën e derës në katin e dytë të godinës.
Sipas kreut të kësaj partie Ramiz Çoba, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një kompjuter dhe disa dokumenta që sipas tij përmbanin material zgjedhor.
Çoba e ka cilësuar këtë si “një ngjarje të shëmtuar dhe me prapavijë politike”. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton pasi ende janë të paqarta rrethanat dhe nuk është identifikuar ende asnjë autor.