Vijon kontrolli i linjave të autobusëve urbanë, fillon instalimi i sistemit GPS, Veliaj: 300 pikë për operatorët e transportit

Publikuar tek: aktualitet, më 13:29 06-02-2017 Vijon kontrolli i linjave të autobusëve urbanë, fillon instalimi i sistemit GPS, Veliaj: 300 pikë për operatorët e transportit

Pavarësisht ndryshimit rrënjësor që ka pësuar transporti publik në kryeqytet, krahasuar me një vit më parë, Bashkia e Tiranës po vijon punën për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për qytetarët.

Në vijim të turit për kontrollin e cilësisë së shërbimit në të gjitha linjat e autobusëve urbanë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi sot me linjën e Unazës, e cila i shërben njërës prej zonave kryesore të kryeqytetit dhe mundëson ndërlidhjen me linjat e tjera ekzistuese ose që janë duke u futur gradualisht në shërbim.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se për të përballuar fluksin e udhëtarëve dhe lehtësuar trafikun, janë shtuar autobusët “fizarmonikë”, ndërsa ka ndihmuar edhe nisma për reduktimin e lëvizjeve të furgonëve gjatë paradites. “Bashkë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit po kontrollojmë të gjithë autobusët e linjave në Tiranë. Linja e Unazës është një nga linjat më të ngarkuara, sidomos për fluksin e madh të njerëzve në oraret e mëngjesit. Për të rikuperuar problemet që kemi me fluksin e mëngjesit, linja ka shtuar 14 autobusë ‘fizarmonikë’ dhe me kalimin e kohës, kjo do të vijojë. Paralelisht do të shtojmë edhe korsitë e dedikuara, e vetmja mënyrë se si mund të përballojmë fluksin e orës 7-8 në mëngjes, edhe pse sot situata është më e mirë, pasi janë reduktuar lëvizjet e furgonëve që bëjnë furnizimet tregtare, duke liruar më shumë hapësirë për qytetarët që do duhet të përdorin autobusin”, tha Veliaj.

Gjithashtu, autobusëve u janë instaluar edhe sistemet GPS, që do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit. Veliaj sqaroi edhe skemën se si do të funksionojë sistemi i pikëzimit në transportin publik, ku operatorët në fillim të vitit pajisen me 300 pikë. “Të gjitha kompanitë do të kenë 300 pikë në fillim të vitit. Pikët variojnë sipas performancës dhe sipas raportimeve që na vijnë nga qytetarët dhe nga AMK. Në momentin që një kompani, brenda një viti, i humb 300 pikë, atëherë automatikisht humbet edhe licencën e autobusit. E dyta, të gjithë autobusët sot kanë instaluar një GPS, pra një çip elektronik, i cili na tregon në mënyrë ekzakte se ku ndodhet autobusi, nëse po ecën ngadalë qëllimisht, edhe pse nuk ka trafik, apo nëse ngadalësia ka të bëjë me trafikun, që është e pranueshme në Tiranë, sidomos në orët e pikut në mëngjes”, tha ai. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Komuniteti i gazetarëve në zi: Ndahet para kohe nga jeta Nexhat Rakaj
Vijon dorëzimi vullnetar i armëve, në 24 orë dorëzohen 27 armë zjarri, 36 predha antitank, 7.800 fishekë »
Article Logic
Execution time: 0.0099527835845947
array(1) { ["section"]=> string(129) "vijon-kontrolli-i-linjave-te-autobuseve-urbane-fillon-instalimi-i-sistemit-gps-veliaj-300-pike-per-operatoret-e-transportit-67876" }