Viktimat kërkojnë më shumë se fjalë për t’u ndjerë sërish në jetë

Publikuar tek: aktualitet, më 10:55 05-02-2019 Viktimat kërkojnë më shumë se fjalë për t’u ndjerë sërish në jetë Jeta Dedja, psikologe

Nga Jeta Dedja

 

Nuk besoj se ka dhimbje më të madhe sesa të shohim si individë apo si shoqëri lajme abuzimi fëmijësh apo të moshuarish, njerëzish në nevojë apo mendërisht në vështirësi.

Nuk besoj se ka ndjenjë pafuqie më të madhe sesa të dëgjosh kësi ngjarjesh e të kuptosh se nuk ke asnjë mjet në dorë të veprosh e të japësh drejtësi.

Është kollaj të shajmë e mallkojmë autorët, kjo madje vjen organikisht, por çfarë t’i bëjmë asaj dhimbjeje që veç viktimës që e di sa e rëndë është, ne të tjerët veç e imagjinojmë.

Autorët do dënohen në rastin më të mirë, po me viktimën ç’do ndodhë? Do marrë ndihmë psikologjike, mjekësore, sociale, ligjore? I meriton falas të gjitha, kjo parashikohet në ligj, por kush do t’ia ofrojë dhe çfarë profesionalizmi premtohet? Dhe a ka ndihmë që mund ta kompensojë vallë dëmin e pësuar?

Është e mitur dhe njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në bashkitë e vendit duhet të kenë të ngritur tashmë rrjetin e duhur për këto çështje. Por a është ky rrjet funksional apo ende në letra?

Gjithashtu sektori i ndihmës ndaj viktimave të krimit në policinë e shtetit duhet të ketë nisur nga procedurat e dhënies së ndihmës së parë. Por sa efektive janë këto ndihma që degradojnë thjesht në shkresa dhe tema diskutimi zyrash.

Shteti shqiptar në çështjet e viktimave të krimit ka investuar shumë pak. Domosdo, për viktimat reale mbetet shumë pak buxhet dhe vëmendje sesa për viktimat e stisura mediatike me syze “Cartier” apo vetura të shtrenjta.

Me viktimat reale vrapohet të shkruhet fije e për pé ngjarja si për të ngopur kuriozitetin pervers e më pas vjen braktisja në fatin e vet. Për mbrojtjen e viktimave shkruhet e flitet shumë pak. Lipset të jenë VIP që të marrin vëmëndje të vërtetë, por ja që viktimat reale janë mes të thjeshtëve, të varfërve, të pambrojturve. Viktimat e krimit nuk marrin mbrojtje konkrete ato përkundrazi, riviktimizohen nga shoqëria paragjykuese, media si dhe institucionet që nxjerrin informacionin personal për to. Ato kthehen në target të gojëve të lagjes, qytetit e vendit. Dhe sikur të mos u mjaftojë dhimbja prej krimit të pësuar, ato dënohen me dhimbjen e shenjestrimit publik dhe mosveprimit të shtetit.

Sot ishte një 13 vjeçare, nesër mund të jetë një 14 vjeçar, pasnesër një 80 vjeçare. Krimi nuk dallon moshë, as gjini, as racë, as krahinë. Krimi thjesht ndodh aty ku gjen terren. Ai do ndodhë aty ku shoqëria bën syrin qorr e veshin shurdh ndaj komshiut, tjetrit, ku familja redukton masivisht vëmendjen dhe kontrollin ndaj fëmijëve, ku shkolla ruan fasadat dhe degradon edukimin, ku shteti nuk zbaton ligjet dhe shtetarët merren me cic-mice dhe kur opinion publik u mban rregullisht ison. Keqardhje të thellë ndjej për të miturën, por nuk kam asgjë në dorë më tepër se fjalës t’ia lehtësoj dhimbjen. Shpeshherë në këto raste e di që viktimat kërkojnë më shumë se fjalë për t’u ndjerë sërish në jetë. Shumë prej tyre kërkojnë shpagim, të tjerë kërkojnë drejtësi, ca dëmshpërblim, por në fund çfarëdo që marrin, dhimbjen askush dhe asgjë nuk ua zhduk, përjetë!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0069420337677002
array(1) { ["section"]=> string(72) "viktimat-kerkojne-me-shume-se-fjale-per-t-u-ndjere-serish-ne-jete-151607" }