Pas skandalit në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, ku rezultoi se ishin vjedhur disa armë ushtarake, ka reaguar edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Në njoftimin për shtyp, Shtabi i Përgjithshëm dënon ngjarjen e rëndë dhe thotë se janë marrë të gjitha masat për hetimin e plotë që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e personave përgjegjës.
Reagimi i plotë:
Një ngjarje e shëmtuar është regjistruar ditën e djeshme në Bazën Detare të Pashalimanit, ku është dëmtuar një depo armatimi.
Që prej momentit të parë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes të gjitha strukturave të tij vartëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, Policinë e Shtetit nisi zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, brenda Bazës së Pashalimanit.
Policia Ushtarake referoi dokumentat për ndjekje penale në Prokurinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të 5 personave: “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektetet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.
Hetimi administrativ i nisur nga SHPFA po vijon dhe po merren të gjitha masat, që çdo person përgjegjës të ndëshkohet për çdo veprim apo mosveprim të tij, sipas ligjeve në fuqi.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dënon aktin por në të njëjtën kohë siguron se, ky rast sporadik, nuk ka dëmtuar sigurinë, gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare.
Theksojmë edhe një herë se, papërgjeshmëria e ndonjë individi, qofshin ata efektivë të FA, nuk mund të njollosë figurën, modelin e përkushtuar dhe sakrificën e efektivëve të Forcës së Armatosur Shqiptare.