'Vllaznia në telashe', Ademi: Kemi miratuar buxhetin për 2020, këshilli bashkiak bllokon vijimësinë e pagesave për sportistët

Publikuar tek: sport, më 20:13 22-05-2020 'Vllaznia në telashe', Ademi: Kemi miratuar buxhetin për 2020, këshilli bashkiak bllokon vijimësinë e pagesave për sportistët Voltana Ademi

Klubi i futbollit Vllaznia, stafi teknik dhe punëtorët e terreneve sportive kanë muaj pa u paguar në Shkodër. Një sjellje e përsëritur e lojërave politike, që e shohin sportin si ping-pong, duke kaluar përgjegjësinë nga një palë te tjetra.

Për shkak të situatës politike, ku bashkia drejtohet nga një e zgjedhur e Partisë Demokratike, ndërsa Këshilli Bashkiak me shumicë socialiste, nuk është miratuar ende pasqyra financiare e vitit 2020, teksa buxheti është aprovuar.

Kështu, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi i ka dërguar një letër Këshillit Bashkiak, për t’u mbledhur pa vonesë, duke miratuar pagat e punonjësve të Vllaznia sh.a.

Reagimi i plotë i Ademit:

Bashkia e Shkodrës ka miratuar Buxhetin për vitin 2020 për Klubin e Futbollit Vllaznia sh.a. që në dhjetor të vitit 2019.

Jemi në fund të muajit maj 2020 dhe këshilli bashkiak akoma nuk ka shqyrtuar dhe miratuar pasqyrat financiare të KF Vllaznia sh.a., duke bllokuar vijimësinë e pagesave që nga muaji shkurt dhe deri në këtë moment që jemi, 22 maj 2020.

Në muajin shkurt, ka patur një përpjekje nga ana juaj për zhbllokimin e situatës tek KF Vllaznia sh.a., por vetëm aq.

Në momentin që flasim, futbollistët, stafi tekniko- sportiv, trajnerët e Akademisë dhe punëtorët e terreneve sportive, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre. E gjithë kjo, ka krijuar një situatë të rëndë që rrezikon të ketë impakt edhe në pjesën sportive, të rezultateve dhe objektivave për të gjitha ekipet e KF Vllaznia sh.a. në kompeticionet ku marrin pjesë.

Dua të vazhdoj të besoj që nuk ka ndonjë keqdashje në këtë zvarritje që po i bëhet zhbllokimit të financimit të punës së sportistëve dhe stafit të KF Vllaznia sh.a.

Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj, me urgjencë dhe pa vonesa, shqyrtimin dhe miratimin e pasqyrave financiare, ne një mbledhje të thirrur nga Administratori i K.F.”Vllaznia”, për t’i hapur rrugën vijimin në normalitet të punës tek Klubi kuqeblu, i cili siç edhe klubet e tjera, kanë kaluar jo pak probleme edhe për shkak të pandemisë dhe Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore.

Siç jeni në dijeni, sezoni futbollistik rifillon me 3 qershor ndërsa ekipet kanë nisur stërvitjen.

Kësisoj, si Kryetare e Bashkisë Shkodër, duke përcjellë zërin e sportistëve dhe tifozerisë, kërkoj reagimin me përgjegjësi nga ana juaj.

letra.jpg

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0097501277923584
array(1) { ["section"]=> string(127) "vllaznia-ne-telashe-ademi-kemi-miratuar-buxhetin-per-2020-keshilli-bashkiak-bllokon-vijimesine-e-pagesave-per-sportistet-207449" }