‘Vlora po zien nga krimet. Edhe ata që nuk kanë probleme ruhen, një Zot e di nga kush’

Publikuar tek: analiza-komente, më 23:19 14-01-2019 ‘Vlora po zien nga krimet. Edhe ata që nuk kanë probleme ruhen, një Zot e di nga kush’

Nga Anila Hoxha

Vlora po zien. Në heshtje, me një heshtje para një furtune. Është ajo heshtja që numëron ditët dhe tek-tuk griset nga zhurma e armëve. Ështe ajo heshtja që të gjithë e kuptojme se diku ndërkohë grupet kanë veshur dorashkat, kanë bërë gati armët dhe po presin. Shënjestrën. Hesap-larësi mund të jetë duke pritur per shumëçka ka ndodhur brenda apo jashtë qytetit deri në Itali apo Belgjikë. Armë ka plot. Granata plot, vetëm 40 copë iu vodhën ushtrisë para një jave. Edhe plumba blind shpues ka plot.

Ashtu si krimi vret kur i ka duart e lira. Herë me porosi nga larg e herë me porosi nga burgu. Se mos hetimet nxorën gjësend për të tjerat që kanë ndodhur. Tek e fundit kush është ai prokuror trim që do i shtrohet hetimit vendshe , kur nesër nuk e di është apo nuk është në sistem. Kush është ai gjyqtar trim që jep masë sigurie duke i rënë brram çekanit, gjyqtari Admir Belishta votoi për Këshillin e lartë Gjyqësor dhe një ditë më pas u përzu nga sistemi. Dhe në këtë amulli, kush është ai polic trim që do i tunde prangat "pashapeshkut" kur nuk di se ku ka kokën e tij.

Në Shqipëri ka ndodhur tragjedia më e madhe që mund ti ndodhë një vendi, ata që punojnë brenda institucioneve nuk kanë besim tek ligjet.Kanë frikë se do flaken në kosh dhe nuk do të riciklohen më kurrë. Ndaj duhet qendruar urtë, ndaj duhen shtyrë ditët, po je ne prokurori, lutju universit që dosja të zgjasë e të zgjasë , po je ne polici lutu mos të ndeshesh me malin. Veç po je kriminel s’ke nevoje për lutje. Ai që hesap-larësi pret, do dalë doemos në pritë.

Në Vlorë po ndodhin ngjarje të mëdha kriminale mbi të cilat zotëron kodi "Omerta". Nuk pashë gjë, nuk di gjë dhe në paça qenë aty, kam qenë në gjumë ! Nuk gjendet një dëshmitar që të flasë , me perjashtim të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj , megjithëse edhe ai nuk u dëgjua deri në fund. Prokuroria e krimeve të rënda, së bashku me policinë , sherbimin informativ vazhdon te jetë e mbuluar nga turpi, ende nuk ka gjetur një presje të vlefshme për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi , apo dhe shpërthime të tjera të kryera vit pas viti.

Ky qytet ndodhet në pikën ku mund të thuash se asnje krim nuk ndodh aty per aty dhe për shkaqe banale. Qofshin këto edhe atentate të dështuara si ngjarja e tanishme në lagjen "Pavarësia". Zyrtarisht shenjestra e radhës është një 37 vjeçar , i cili me drejtësinë ka patur vetem një problem: armëmbajtjen pa leje . Edhe plagosja e M.M. , i cili ka shpëtuar falë fatit të jetëgjatit , nuk ka lidhje rastësinë. Shenjestra njihej për shoqërine me Llanajt dhe Harizajn. Që do të thotë një grup tjetër ka nisur të numërojë jetë njerëzish me gishtin në këmbëz të armës. Çfarë po ndodh në Vlorë , mos më thoni që edhe kjo ngjarje nuk është kompetencë e autoriteteve , por e TT apo model AK - 47 moda .

Në Vlorë mund të ndodhë që të grabitet një bazë ushtarake dhe përpos ca ushtarëve mos t’i hyj gjembi në këmbë askujt tjetër. Në fakt kjo gjë ndodh vetëm në një nga vendet anëtare të Natos dhe ky vend quhet Shqipëri.

Në Vlorë mund të ndodhë që edhe ata që nuk kanë probleme të ruhen, një Zot e di nga kush.

Po kujdes gjobat. Aman përmbushni planin, kur të kalkuloni ato statistikat, aman mos harroni sa shtetas ishin të dehur, sa fluturonin me makinë dhe sa nuk kishin vendosur rripin e sigurisë. Se me këtë rast, edhe jeta e në shoferëve kokëkrisur shpëtohet, por edhe arkat e shtetit mbushen!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Gabimet e qeverisjes në pesë vite
»
Article Logic
Execution time: 0.010886907577515
array(1) { ["section"]=> string(89) "vlora-po-zien-nga-krimet-edhe-ata-qe-nuk-kane-probleme-ruhen-nje-zot-e-di-nga-kush-148812" }